Pazaret e Kundërligjshme me Pronën në Malishevë

Në Komunën e Malishevës në vitin 2011 janë kryer transaksione të dyshimta të pronës komunale.

Ish-kryetari i kësaj komune, Isni Kilaj, e kishte miratuar kërkesën e një drejtori të shkollës për të shpronësuar 30 arë tokë për nevoja të shkollës.

Emisioni “Drejtësia në Kosovë”, ka arritur të dokumentojë se janë bërë shumë shkelje ligjore para se të bëhet kërkesa për shpronësim dhe në vazhdimësi derisa toka prej 30 arësh ka kaluar në emër të Komunës së Malishevës.

Të dhënat nga hulumtimi treguan se Komuna e Malishevës për 30 arët e shpronësuara në fshatin Gollubovc, rreth 20 kilometra larg qytetit i kishte kompensuar me dyfishin, pra me 60 arë tokë komunale brenda qytetit të Malishevës ku vlera e pronës arrin mijëra euro për ar.

Kërkesa e dyshimtë e drejtorit të shkollës

Në vitin 2011 Bekim Gashi,  drejtor i shkollës fillore në fshatin Kijevë, kishte kërkuar nga Komuna e Malishevës që të shpronësojë 30 arë tokë private për t`u zgjeruar paralelja e shkollës  në fshatin Gollubovc.

Kërkesa e drejtorit të shkollës ishte aprovuar nga organet komunale dhe nga vetë kryetari i saj Isni Kilaj.

Çështje e diskutueshme mbetet prona e cila ka qenë objekt i shpronësimit. Të dhënat e siguruara nga emisioni “Drejtësia në Kosovë” tregojnë se prona në afërsi të shkollës që ishte objekt i shpronësimit ishte shfrytëzuar nga Sejdi Morina.

Morina ka treguar për Emisionin “Drejtësia në Kosovë” se këtë pronë e ka blerë Rrahman Gashi, por të njëjtën asnjëherë nuk e kthyer në emër të tij, siç e kërkon ligji.

Morina ka rrëfyer për Emisionin “Drejtësia në Kosovë” se ai asnjëherë nuk kishte pasur kontakte me zyrtarët e Komunës së Malishevës. Ai kontaktin dhe kompensimin e kishte marrë direkt nga familja e drejtorit të shkollës, Bekim Gashi.

Pronari faktik i tokës, Morina, ka thënë se kërkesën për ta ndërruar tokën e tij me 4 arë e gjysmë në Malishevë ia kishte bërë drejtori i shkollës fillore të Kijevës, Bekim Gashi.

“Kërkesën ma ka bërë drejtori i shkollës Bekim Gashi. Ai ka biseduar me komunën dhe mua si kompensim mi kanë ofruar 4 ari e gjysmë në Malishevë”, ka deklaruar Morina, transmetoi DnK.

Hulumtimi ka treguar se në këmbim të 30 arëve, Komuna i kishte ndarë 60 arë tokë në Malishevë.

“Unë nuk e di qysh janë marrë vesh, por nëse është dashtë dikush me marrë tokë nga komuna në emër të tokës time është dashur unë, sepse unë kam qenë pronar i tokës që është dhënë për shkollë”, ka thënë ai.

“Drejtësia në Kosovë” ka gjetur se toka prej 60 arësh brenda zonës urbane  të cilën e kishte ndarë komuna si kompensim për 30  arët e shpronësuar në fshatin Gollubovc është regjistruar në emër të Hajdin Gashit, babait të drejtorit të shkollës Bekim Gashi, i cili ka iniciuar kërkesë të rritet hapësira e oborrit të shkollës.

Ish-drejtor i shkollës Bekim Gashi nuk e ka pranuar faktin se prona komunale që e dha komuna si kompensim ishte regjistruar në emrin e babit të tij Hajdin Gashi, përkundër faktit se të dhënat në kadastër e dëshmojnë një gjë të tillë.

As i vëllai i tij Avdi Gashi nuk ka pranuar të japë sqarime se si prona komunale prej 60 arësh kaloi në emrin e prindit të tyre.

Falsifikimi në emër të personit të vdekur

Për dallim nga drejtori i shkollës, vëllai i tij Avdiu, ia ka ofruar ekipit të “Drejtësia në Kosovë” një deklaratë e cila sipas tij është dëshmi se pronën prej 30 arësh e ka blerë nga Sejdi Morina një vit para se të shpronësohej nga komuna. Pra, Avdiu pretendon se ka qenë pronar i tokës për të cilën Bekimi (drejtor i shkollës dhe vëllai i tij) ka bërë kërkesë për shpronësim.

Procedura për shpronësimin e tokës në Gollubovc sipas deklaratës me të cilën Avdi Gashi pretendon se ka blerë 30 arë nga Sejdi Morina në vitin 2010 del se është iniciuar një vit më vonë nga vëllai i tij Bekim Gashi, drejtor i shkollës dhe pasi prona prej 60 arësh që ndau komuna u regjistrua në emrin e prindit të tyre Hajdin Gashi.

Meqenëse prona që ishte objekt i shpronësimit ka qenë në emër të një personi të tretë, Rrahman Gashi, “Drejtësia në Kosovë” bazuar në burimet zyrtare e ka siguruar certifikatën e vdekjes së këtij personi, i cili ka ndërruar jetë në vitin 2005.

Në dosje shihen disa veprime të cilat janë ndërmarrë në emër të Rrahmanit në kohën kur ai ishte i vdekur.

Sipas dosjes, në vitin 2011 pronari i vdekur i pronës kishte dhënë pëlqim me shkrim në komunë për ndërrimin e pronës.

Komuna kishte vendosur që pronën e regjistruar në emrin e të vdekurit ta bartte në emër të shkollës duke u thirrur se kjo ishte një procedurë shpronësimi.

Kilaj me datën 13 tetor 2011 kishte marrë vendim për pranimin e kërkesës për shpronësimin e ngastrës prej 30 arësh me pronar juridik Rrahman Tafil Gashi dhe pronar të pretenduar faktik Hajdin Ramë Gashin.

Hulumtimi i dokumenteve në kadastër ka rezultuar se ish-kryetari i komunës Isni Kilaj në vendimin e tij për shpronësim në vitin 2011 ka marrë pëlqimin nga një person i vdekur gjashtë vjet para se të ndodhte ky transaksion pronësor dhe atë në raport 2 me 1.

“Edhe pronari juridik dhe ai faktik kanë lëshuar deklaratë me shkrim të cilët pranojnë shpronësimin e kësaj paluajtshmërie”, thuhet në vendimin për shpronësim të ish-kryetarit Isni Kilaj të vitit 2011.

Për procesin e shpronësimit, as Rrahman Gashi, e as familjarët e tij nuk dinë. Krejt çka dihet është se kompensimi për pronën e regjistruar në emrin e tyre u bart në emër të bashkëfshatarit të tyre Hajdin Gashi.

Lidhur me këtë, Isni Kilaj ish-kryetar i Komunës së Malishevës dhe aktualisht zëvendësministër i Financave në Qeverinë e Kosovës, ministri kjo e cila në bazë të Ligjit për Shpronësimin e Pronës së Paluajtshme e kryen procesin e vlerësimit, ka thënë se nëse ka shkelje le të merret prokuroria me to.

“Nëse ka shkelje çoni në prokurori, prokuroria le të merret me to”, ka thënë Kilaj.

Këmbimi i paligjshëm i pronës

Kjo nuk ishte shkelja e vetme që është faktuar në Emisionin “Drejtësia në Kosovë”. Sipas Ligjit për Shpronësimin e Pronës së Paluajtshme kryetari i komunës si organ shpronësues nuk mund të formojë komision për vlerësimin e pronës që është objekt i shpronësimit, pasi që këtë me ligj duhet ta bëjë Ministria e Financave.

Siç transmetoi “Drejtësia në Kosovë” ish-kryetari i Komunës së Malishevës Isni Kilaj tërë procedurën për shpronësim të tokës private në Gollubovc dhe tokës komunale që u dha si kompensim, e kishte bërë me tre zyrtarë komunalë të emëruar nga vetë ai.

Por, në ministri thonë se ky veprim ka qenë përtej kompetencave ligjore të kryetarit të komunës.

“Ministria e Ekonomisë dhe Financave e bën përcaktimin e metodologjisë për llogaritjen e kompensimit për pronën e shpronësuar dhe dëmet që kanë në bëjnë me shpronësimin…Kryetari i Komunës nuk mund të formojë komision për vlerësimin e pronës”, tha për Drejtësia në Kosovë Rozafa Ukimeraj, sekretare e përgjithshme në MAPL.

Kryetari Kilaj, po ashtu, pronën e shpronësuar e kompensoi me tokën komunale dhe atë në raport 2 me 1. Pra, 30 arë u morën në interes të shkollës dhe u kompensuan me 60 arë tokë komunale.

Një vendim i tillë në vitin 2011 sipas hulumtimit të “Drejtësia në Kosovë”, nuk ka pasur bazë ligjore, pasi që nuk ka ekzistuar ligji për këmbimin e pronës private me atë publike. Në bazë të Ligjit për Shpronësimin e Pronës së Paluajtshme, i cili ka qenë në fuqi edhe në vitin 2011, prona e shpronësuar kompensohet me para.

Ukimeraj ka thënë se është Ministria e Financave ajo që e përcakton metodologjinë e llogaritjes së kompensimit.

“Ministria e Ekonomisë dhe Financave e bën përcaktimin e metodologjisë për llogaritjen e kompensimit për pronën e shpronësuar dhe dëmet që kanë në bëjnë me shpronësimin. Kryetari i komunës nuk mund të formojë komision për vlerësimin e pronës”, tha Ukimeraj.

Ragip Begaj, kryetari aktual i Malishevës, i cili në kohën kur ishte bërë ky transaksion ka qenë kryesues i asamblesë po ashtu nga Partia Demokratike, siç transmetoi DnK, ka thënë  se nuk e di se çka ka ndodhur me tokën që është marrë për ndërtimin e shkollës, pasi që sipas tij e tërë kjo procedurë nuk ka kaluar fare nëpër kuvend.

“Unë kam dëgjuar për atë ndërrim të pronës në Gollubovc me tokën komunale, por nuk mund të ju them shumë, pasi që nuk i kam informatat sepse në atë kosh kam qenë kryesues i asamblesë dhe ky proces s’ka kaluar në kuvend”, ka thënë Begaj.