Paraburgim Ndaj të Dyshuarve për Krime Lufte
Shtatë të dyshuar për krime lufte do të qëndrojnë në paraburgim, derisa të nisë gjykimi ndaj tyre.
Të dyshuarve Gjykata Themelore e Mitrovicës ua kishte caktuar masën e arrestit shtëpiak, ndërsa një panel i Gjykatës së Apelit në Prishtinë mori vendim që të njëjtit t’i paraburgosë, thuhet në një komunikatë të EULEX-it, të lëshuar të shtunën.
Vetëm kështu, duke i mbajtur nën arrest, të dyshuarit nuk do të jenë në gjendje të pengojnë hetimet kriminale, duke ndikuar në dëshmitarë, thuhet më tutje në komunikatën e Misionit Europian për Sundimin e Ligjit.
Duke marrë këtë vendim, paneli i përzier me gjykatës kosovarë dhe të EULEX-it i Gjykatës së Apelit në Prishtinë, hodhi poshtë ankesat e mbrojtësve, ndërsa aprovoi kërkesën fillestare të prokurorit special për mbajtje në paraburgim të shtatë të dyshuarve.
Vetëm paraburgimi i të dyshuarve garanton mbrojtjen nga rreziku i manipulimit me faktet, thuhet në arsyetimin e vendimit të Gjykatës së Apelit.
Rasti i shtatë të dyshuarve për krime lufte është duke u hetuar nga një prokuror i EULEX-it në kuadër të Prokurorisë Speciale të Kosovës.