Kreu i Agjencisë Kufizuese Vjen nga PDK-ja

Ruzhdi Jashari, mbikëqyrësi kryesor shtetëror i Agjencisë Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale institucion që ka iniciuar heqjen e deklaratave të pasurisë të zyrtarëve të lartë nga interneti, vjen nga Partia Demokratike e Kosovës në pushtet, zbulon Gazeta Jeta në Kosovë.

Jashari ka shërbyer në vitet e kaluara si anëtar dhe si kryesues i kuvendit komunal të Shtimes duke përfaqësuar PDK-në.

“Ky është një tregues i mjaftueshëm se kujt i shërben ky agjencion. Isuf Zejna

Dhjetë ditë më parë Gazeta Jeta në Kosovë zbuloi se një projekt-ligj i sponzoruar prej Ministrisë së Drejtësisë pritet të largojë të gjitha deklaratat e pasurisë së zyrtarëve të lartë nga interneti, duke shënuar prapakthim në transparencë pasi këto deklarata përdoren nga gazetarët dhe shoqëria civile për të mbikëqyrur zyrtarët dhe paranë publike. Pas reagimeve në shtyp, javën e kaluar Ministria e Drejtësisë u zotua se “nuk do të lejohet rrënimi i standardeve të ndërtuara”.

Fillimisht Gazeta Jeta në Kosovë në korrik të 2012-ës raportoi se Agjencia Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale synonte që brenda gjashtë muajve të detyronte Agjencionin Kundër Korrupsionit të largonte nga faqja zyrtare deklaratat e pasurisë për shkak se vlerësonte se ato përbënin rrezik për sigurinë e zyrtarëve të lartë. Kjo gazetë ka raportuar po ashtu se në një rast tjetër, më 20 prill 2012, e njëjta agjenci kishte publikuar “opinion në lidhje me qasjen dhe publikimin e faturave të shpenzimeve të kryeministrit dhe zv.kryeministrave” me të cilin thoshte se “publikimi i faturave tejkalon qëllimin e kërkesës për transparencë të shpenzimeve publike dhe cenon privatësinë e kryeministrit dhe të zv.kryeministrave”. Privatësia, sipas opinionit, cenohej nga mundësia që prej faturave të zbuloheshin të dhëna për dietën e zyrtarëve.

Shumë shtete të botës i lëshojnë këto fatura të shpenzimeve dhe i publikojnë deklaratat e zyrtarëve të lartë. 

Isuf Zejna, analist për qeverinë në Institutin Kosovar për Demokraci (KDI), i tha Gazetës Jeta në Kosovë se “ASHMDhP është duke i prirë iniciativës për mos publikimin e pasurisë së zyrtarëve publikë”.

“Ky është një tregues i mjaftueshëm se kujt i shërben ky agjencion”, tha Zejna. 

Agjencia Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale reagoi të mërkurën duke thënë se asnjëherë nuk i ka kërkuar Agjencisë Kundër-Korrupsionit që të largojë formularët e pasurisë së zyrtarëve nga faqja e internetit dhe se ata janë të qasshëm. 

Jashari dha dorëheqje nga asambleja pesë ditë pas emërimit në agjenci

Më 23 qershor 2011, me 58 vota pro, Kuvendi i Kosovës kishte emëruar mbikëqyrësit shtetërorë të agjencisë në krye me Ruzhi Jasharin. 

“Unë nuk jam anëtar i asnjë partie politike. Ruzhdi Jashari

Pesë ditë më vonë, Jashari i kishte shkruar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve se tërhiqej nga posti i asamblistit të Partisë Demokratike të Kosovës në Shtime pas emërimit në ASHMDhP. Në shtator 2011 KQZ kishte aprovuar dorëheqjen e tij nga asambleja. 

“Unë nuk jam anëtar i asnjë partie politike”, Jashari i tha Gazetës Jeta në Kosovë. “Në momentin e marrjes së përgjegjësive të reja në AShMDhP dhe vendimit të Kuvendit të Kosovës, për emrimet tona, ne kemi dhënë dorheqje nga të gjitha angazhimet politike/anëtarësia dhe detyra e delegatit të K.K. Komunal të Shtimes”.

Rrahman Jakupi, përgjegjës për informim në komunën e Shtimes, i tha gazetës se Ruzhdi Jashari gjatë viteve 2007-2009 ka qenë edhe kryesues i kuvendit komunal.

Në transkriptin e mbledhjes së Kuvendit të Kosovës, të 23 qershorit 2013 kur ishte votuar Jashari, figuron se deputeti Armend Zemaj nga grupi parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës kishte kërkuar nga qeveria që ta tërheqë propozim-vendimin për emerimin e anëtarëve të ASHMDHP-së.

“Ky agjencion ka mision mbrojtjen e të drejtës së privatësisë, si e drejtë themelore e qytetarëve, e garantuar me kushtetutë”, thoshte Zemaj. “Në këtë agjencion duhet të emërohen ekspertët më të mirë dhe njerëz të cilët nuk janë direkt të përfshirë në aktivitete politike”.

Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale specifikon se Agjencia Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave është agjenci e pavarur, e ngarkuar për mbikëqyrjen e zbatimit të rregullave për mbrojtjen e të dhënave. Anëtarët e saj veprojnë të pavarur në pajtim me këtë ligj dhe nuk duhet të pranojnë asnjë udhëzim nga palët e treta.

Isuf Zejna i KDI-së thotë se kjo organizatë në kohën e votimit të mbikëqyrësve shtetërorë pati reaguar duke e paralajmëruar kuvendin se ishin propozuar “njerëz me prapavijë politike e partiake”.

“Kjo ka rezultuar që të njëjtit t’i shërbejnë me tepër interesave të subjektit politik që i ka emëruar sesa publikut”, thotë Zejna. “Dhe në përgjithësi agjencionet e pavarura të cilat i ka themeluar Kuvendi i Kosovës, më së paku e meritojnë të quhen të pavarura, pasi që këtu pikërisht janë emëruar njerëz puro-politikë”.

Në maj, organizata kosovare Demokraci për Zhvillim raportonte se Kosova ka indeksin më të lartë të patronazhit politik në Europë, duke shpërblyer partizanët me vende pune publike dhe duke i kontrolluar më pas ata.

“Ky agjencion ka mision mbrojtjen e të drejtës së privatësisë, si e drejtë themelore e qytetarëve, e garantuar me kushtetutë. Zemaj

Në korrik 2012, Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) misioni në Kosovë, përmes raportit “gjendja e institucioneve të pavarura në Kosovë” gjente mospërputhje tek një e treta e ligjeve që rregullojnë institucionet e pavarura.

Por, Ruzhdi Jashari ka një version tjetër për angazhimin e tij në agjencinë për mbrojtjen e të dhënave personale. “Unë gjatë jetë sime me kontributin tim modest kam qenë i kyçur në veprimtarinë e të drejtave të njeriut dhe lëvizjet politike ku kam menduar se mund ta jap kontributin tim për çlirimin e Kosovës dhe për të mirën dhe interesin e vendit tonë, me përkushtim ndaj të gjithë qytetarëve”.