Ndotja e lumit Krena që kalon përmes Gjakovës. Foto: Kallxo.com

Gjakova, Vendi ku Privatizimi ka Prekur edhe Stadiumet!

Gjakova është komunën që dikur kishte 26 fabrika, në objektet e të cilave sot janë vendosur raftet e supermarketeve apo janë vendosur mallrat e depove tregtare. Gjakova që dikur ishte fuqi ekonomike e sot ka probleme të mëdha në zhvillim ekonomik.

Por ka edhe probleme tjera.

Qytetarët e Gjakovës kanë problem me deponitë ilegale të plehrave e mbetjeve inerte dhe ndotjen e lumenjve të bukur të komunës, ndërsa ende nuk është nisur së ndërtuari ngrohje e re qendrore me biomasë pavarësisht zhurmave që ishin krijuar vite më parë.

Gjakova është komunë që ka aeroport që nuk funksionon ndërsa mungon edhe parku industrial për ta zhvilluar zonën e lirë ekonomike. Komuna e Gjakovës ka problem serioz me parkingjet dhe me trotuaret.

Gjakova në Debat Pernime

Ambienti

Gjakova ballafaqohet me një gjendje të rëndë të menaxhimit të mbeturinave. Ka mungesë të theksuar të kontejnerëve të mbeturinave, e bërlloku është i pranishëm në çdo anë të qytetit.

Deponia ilegale në Shkugëz, Gjakovë. Foto: Kallxo.com

Një pjesë e madhe e zonës së Çarshisë së Vjetër dhe qytetit nuk ka kontejnerë të mjaftueshëm. Po ashtu në zonën e “Shkugzës” ka deponi ilegale. Në lagjen “Rezina” fekalet kalojnë mes përmes shtëpive, në lumin Krena që kalon përmes qytetit hidhen mbeturinat dhe ende derdhen kanalizimet.

E banorët e lagjes “Brekoc” kanë një tjetër hall. Ata që nga vitit 2005 përballen me vërshime. Shtëpitë e kësaj lagje, përkatësisht ato që gjenden në rrugët “Patriot Berisha” dhe “Hajdar Salihu” përmbyten pas reshjeve duke pësuar dëme të konsiderueshme materiale në pajisjet shtëpiake, orenditë, inventarin, dhe gjerave ushqimore.

Ekonomi dhe Financa

Gjakova e ka mbyllur vitin 2016 me një buxhet prej 19,4 milionë euro. Kishte planifikuar investime kapitale në vitin 2016 në vlerë prej 5 milionë e 74 mijë euro, mirëpo kishte arritur t’i shpenzojë vetëm 3,7 milionë euro apo 73 % të buxhetit të planifikuar. Madje, Auditori ka konstatuar se në vitin 2016, shpenzimet reale vjetore për investime kapitale ishin vetëm 2,4 milionë euro, pasi Gjakova ishte obliguar t’i paguajë 918 mijë euro borxhe të akumuluara nga vitet paraprake.

Përmbytjet shkaktojnë dëme në Brekoc të Gjakovës. Foto: Kallxo.com

Aeroporti i Gjakovës është shndërruar në ndërmarrje publike pasi bërë bartja e tij nga komanda Italiane e KFOR-it, por ky aeroport jo që nuk është lëshuar në funksionim por ka rrezikuar edhe vjedhjen e pajisjeve milionëshe brenda tij ngase një kohë të gjatë nuk ka pasur as roje. Kjo ndërmarrje publike, jo që nuk ka shërbyer deri më tani si një katalizator për zhvillimin ekonomik të vendit por është bërë barrë e institucioneve të Kosovës për mirëmbajtjen e aseteve të saj që vlerësohen mbi 8 milionë euro.

Ngrohtorja e Gjakovës ishte premtuar që do të realizohet në këtë mandat, por problemet janë shfaqur në gjetjen e lokacionit dhe mosdhënien e pronës nga qeveria.

Kulturë e sport

Gjakova ka Muzeun e Muzikës, në të cilin parashihej konservimi i trashëgimisë muzikore të kësaj komune. I njëjti gjendet në zonën e Çarshisë së Vjetër, por sot është në gjendje të mjerueshme. Hulumtuesit e KALLXO.com kanë gjetur që ky muze, i vetmi në Kosovë i llojit të tij, është demoluar dhe shkatërruar dhe nuk po mirëmbahet.

Muzeu i Muzikës në Gjakovë nuk po mirëmbahet. Foto: Kallxo.com

Stadiumi në lagjen Dardania (ish-Piskotë) të cilin e kanë shfrytëzuar me dekada të tëra krejt lagja, tash është privatizu dhe vendbanimi ka mbet pa stadium përderisa klubi i futbollit Dadanët që ka luajtur ndeshjet e veta aty, garon në Ligën e Dytë të Kosovës. Banorët kanë bërë peticion por nuk është zgjidh çështja.

Trotuaret e parkingjet 

Gjakova ka mungesë të parkingjeve dhe për pasojë veturat parkohen nëpër trotuare. Veturat e parkuara në pjesët e ndryshme të rrugës pengojnë lëvizjen e lirë të këmbësorëve dhe me këtë rast ulet siguria e lëvizjes së tyre.

Në Gjakovë është investuar pak edhe nga niveli qendror sa i përket infrastrukturës. Gjakova ka mbetur mbrapa edhe me zgjerimin e hyrjeve dhe daljeve nga qytetit, ndërsa lidhja e dy magjistraleve asaj të Prishtinës dhe të Prizrenit nuk ka ndodhur ende.

Ura e Kramovikut lidh pjesën e Klinës me Gjakovën dhe shfrytëzohet si destinacioni kryesor i hyrjes në Gjakovë edhe nga drejtimi i Prishtinës dhe i Pejës. Ura është dëmtuar në verën e vitit 2013 nga të reshurat dhe vërshimet. Ura ka pasur disa ndërhyrje të vogla për t’u sanuar, por rreziku i shembjes së saj nuk është evituar.

Ura ka pasur disa ndërhyrje të vogla për t’u sanuar, por rreziku i shembjes së saj nuk është evituar.