Dy Anët e Lirisë

I

Në qershor 1999, që në ditët e para pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Kumanovës e cila i hapte rrugë forcave të NATO-s për të hyrë në Kosovë, mijëra refugjatë kosovarë vendosën të kthehen. Kthimi i tyre ishte ende i rrezikshëm. Një pjesë e madhe e territorit, e sidomos rrugët regjionale, ishin të minuara nga ushtria serbe. Thirrjet e NATO-s që të pritej deri në asgjësimin e minave nuk u dëgjuan nga kosovarët. Dëshira për t’u kthyer në shtëpitë e tyre ishte më e madhe se rreziku potencial i rënies në fusha të minuara.

Nuk ishin vetëm kosovarët e vendosur nëpër kampet e refugjatëve në Maqedoni, Shqipëri e Mal të Zi, atë të cilët vendosën të kthehen sa më parë. Edhe refugjatët e vendosur në vendet e Evropës Perëndimore, ShBA, Kanada e Australi, vendosën të kthehen, përkundër asaj se një pjesë e madhe e tyre e kishin mundësinë të qëndronin edhe më tej në vendet strehuese.

Përveç refugjatëve, shumë qytetarë të tjerë të cilët me vite të tëra jetonin e punonin në vende të huaja, me vetëdëshirë zgjodhën të kthehen. Kishin pritur shumë vite lirinë dhe tani dëshironin të ndërtojnë së bashku ëndrrën kosovare.

II

Që në ditët e para të përfundimit të luftës, klasa politike dhe një pjesë e komandantëve të UÇK, lirinë e panë si mundësi të fuqizimit të tyre personal në aspektin ekonomik dhe politik.

Shumë shpejt, në hyrje të Prishtinës, u vendos një model i vogël i Statujës së Lirisë, e cila i përshëndet qytetarët që lëshohen nga pjesa e Veternikut. Kjo statujë e cila simbolizon lirinë, u vendos mbi një objekt hotelier, të cilit iu vu emri “Victory”, që në përkthim do të thotë fitore. Bazamenti i hotelit që simbolizon fitoren dhe i statujës që simbolizon lirinë, u vendosën në tokë të uzurpuar publike.

Ndërtuesi i këtij objekti në pronë publike, uzurpoi edhe 20 pika të karburanteve, u bë deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK, këshilltar i Kryeministrit Hashim Thaçi, doktoroi dhe hapi një universitet privat i cili edukonte gjeneratat e reja.

Kjo simbolikë e lirisë, fitores dhe uzurpimit nuk u kufizua vetëm në hyrje të Prishtinës, por u përhap anembanë Kosovës. Edhe 16 vite pas përfundimit të luftës, në qendër të Prishtinës gjenden me dhjetëra lokale të uzurpuara. Përkundër ekzistimit të institucioneve gjyqësore dhe institucioneve të sigurisë, askush nuk guxon ti largoj të fortit nga pronat e uzurpuara. Sipas një hulumtimi të BIRN në fund të 2015, rreth 8% e ndërmarrjeve të privatizuara shoqërore vazhdojnë të mbahen të uzurpuara nga të fortit e lidhur me komandantët e luftës dhe persona në pushtet.

Për këta uzurpatorë dhe politikanët e lidhur me ta, qershori i 1999 solli lirinë e pakufizuar, e që mund të përkufizohet si anarki. Liria e pakufizuar e politikanëve dhe një pjese të ish komandantëve të UÇK e kufizoi lirinë qytetare. Atë liri për të cilën rrezikuan të gjithë që të ktheheshin dhe të ndërtonin jetën në shtëpitë e tyre. Ky kufizim i lirisë erdhi nga uzurpimi i vrazhdë, privatizimi kriminal, shantazhet, reketi, korrupsioni dhe keqqeverisja.

Përderisa për uzurpatorët dhe politikanët në pushtet Kosova e pas 1999 është një vend me liri të pakufizuara, për qytetarët kjo liri nuk është e plotë. Liria e plotë individuale arrihet vetëm atëherë kur shoqërohet me liritë ekonomike, e cila ua mundëson njerëzve të blejnë ilaçet e nevojshme dhe të marrin shërbimin e duhur shëndetësor, të ushqehen shëndetshëm dhe mjaftueshëm, të arsimohen e të kenë një vend pune.

III

Gjashtëmbëdhjetë vite pas hyrjes së forcave të NATO-s, ata qytetarë të cilët rrezikonin jetën e tyre të ktheheshin rrugëve të minuara për në Kosovë, tani rrezikojnë jetën që në rrugë ilegale të ikin nga Kosova për të gjetur një jetë më të rehatshme në vendet e Bashkimit Evropian.

Mbi 90% e qytetarëve të Kosovës vitin 2016 e presim me liri të cunguar. Liri e cila u cenohet nga liria e pakufizuar e politikanëve dhe uzurpatorëve.

Urime viti 2016, me shpresën se do jetë vit i zgjerimit të lirive ekonomike dhe kufizimit të lirive anarkiste të të pa prekshmëve në pushtet.