Pamje nga seanca e sotme e rastit "Medicus" - Foto: KALLXO.com

Gashi Rrëfen për Pacientin nga Izraeli që nga ‘Medicus’ u Soll në QKUK

Ish-kardiologu i klinikës “Medicus”, Masar Gashi, dëshmoi në gjykimin kundër Lutfi Dervishit e Sokol Hajdinit.

Ai tha se gjatë punës së tij në Qendrën Klinike Universitare kishte pranuar një pacient për të cilin ishte thënë se kishte pasur ndërhyrje të transplantimit të veshkës.

Masar Gashi tha se ka punuar në klinikën “Medicus” një vit e gjysmë para se kjo klinikë të mbyllej dhe se atje kishte shkuar të punonte pasi që atë e kishte ftuar dr. Daut Gorani meqë në atë kohë vetëm klinika “Medicus” kishte aparatin e koronarografisë.

Ai tha se së bashku me ekipin e kardiologëve e kishin zgjedhur dr. Daut Goranin që të merrej vesh në lidhje me çështjet financiare me dr. Dervishin dhe se marrëveshja kishte qenë që për çdo pacient një pjesë të parave të ia japin dr. Dervishit apo djalit të tij për përdorim të aparatit kurse pjesën tjetër e kishin marrë ata.

Dëshmitari tha se ky ekip i kardiologëve pacientëve u kanë ofruar shërbime të kardiografisë dhe nëse ka pasur nevojë dhe implantimin e stendave.

Për ofrimin e këtyre shërbimeve tha se kanë përdorur koronarografin, EKG-në, ultrazërin dhe disa shtretër në dy-tri dhoma që kanë qenë afër koronarografisë, kurse për ndërhyrjet kardiokirurgjike në spital tha se më herët i kishin kryer ekipi i mjekëve gjerman por pas largimit të tyre tha se nuk ka dijeni nëse ky ekip ishte zëvendësuar me ndonjë ekip tjetër.

Dëshmitari tha se ai asnjëherë nuk ka pasur nevojë që për të kryer shërbimet e pacientëve të tij të përdorë sallën e operacionit, njësinë e kujdesit intensiv apo të ketë nevojë për ndërhyrjen e ndonjë nga anesteziologët pasi që pacientët e tij kishin qenë të selektuar.

Më pas prokurorja e çështjes Valeria Bolici kërkoi nga dëshmitari që të vizatonte edhe një skicë ku do të përshkruante vendin e punës ku punonte, dhe kohë pas kohe kërkonte nga ai të jepte sqarime rreth asaj skice për të përshkruar vendin e punës.

Ajo kërkoi nga dëshmitari që të dinte se edhe me cilët infermierë ka punuar, ndërsa dëshmitari u përgjigj se ai ka punuar vetëm me një infermiere e cila sipas tij kishte pasur eksperiencë në lëmin e kardiografise dhe se emri i saj ishte Gone, kurse për infermierët Dardan Imeri dhe Besim Gashi tha se nuk i njihte.

Pastaj dëshmitari u pyet edhe nëse njësia e kujdesit intensiv a ka pasur qasje në njësinë e kardiologjisë, ndërsa ai tha se me aq sa i kujtohet ka qenë një derë e cila i ka lidhur këto dy njësi e cila ka qenë e hapur por që nuk e kanë shfrytëzuar pasi që nuk kanë pasur nevojë.

Dëshmitari u pyet edhe në lidhje me një pacient i cili ishte pranuar në Qendrën Klinike Universitare të Prishtinës, për të cilin prokurorja tha se kishte ardhur nga klinika “Medicus”.

Në lidhje me këtë, dëshmitari tha se pacienti në Klinikën Universitare ishte vendosur në dhomën VIP, dhe se atij i ishte dhënë detyrë që ta trajtonte këtë pacient.

Për pacientin tha se kishte qëndruar në klinikë për dhjetë ditë dhe se ai ishte nga Izraeli por që punonte në Rumani.

Për të tha se nga ajo që kishte dëgjuar kishte kuptuar se ai kishte pasur një ndërhyrje të transplantimit të veshkës.

Pastaj prokurorja e pyeti dëshmitarin nëse ai mbante në mend plagën e pacientit dhe nëse i njëjti ishte kujdesur që kjo plagë të mos i infektohej, por dëshmitari tha se ai nuk i kujtohej plaga e pacientit dhe pasi që pacienti nuk kishte pasur ankesa ai nuk ia kishte kontrolluar fare plagën.

Kurse avokati i Lutfi Dervishit, Valon Hasani kërkoi nga dëshmitari të dinte se nëse në përzgjedhjen e ekipit të tij a i është dashur atij që të marrë pëlqimin e dikujt në klinikën “Medicus”, ndërsa dëshmitari tha se për përzgjedhjen e ekipit nuk ka pasur nevojë për pëlqimin e askujt.

Kurse anëtarja e trupit gjykues Roksana Comsa kërkoi nga dëshmitari që të jepte më shumë detaje se nga kush kishte marrë informacionin në lidhje me historikun e pacientit i cili ishte shtruar në Klinikën Universitare.

“Këto informacione kanë ardhur nga drejtoria, nga opinioni publik dhe nga gazetat” u përgjigj dëshmitari.
“Pra e keni trajtuar një pacient duke u bazuar në informacionet që keni pasur nga media” e pyeti përsëri anëtarja e trupit gjykues.

Kurse dëshmitari tha se kjo pyetje është qesharake sepse ai gjendjen e pacientit e kishte konstatuar edhe në bazë të nefrologut, i cili e kishte konsultuar pacientin dhe e kishte vendosur terapinë në bazë të gjendjes së pacientit, dhe tha se këtë e kishte bërë edhe nga dokumentacioni i pacientit.

Për pacientin tha se ai kishte pasur ndërhyrje të transplantimit të veshkës pasi që tha se kishte biseduar me të njëjtin dhe ai i kishte thënë se e kishte pranuar veshkën.

Dëshmitari tha se pacienti i kishte thënë se kishte paguar për këtë transplantim por që nuk i kujtohej sa ishte shuma që ai i kishte thënë se ka paguar për të pranuar një veshkë.

Lutfi Dervishi që ishte pronar i Klinikës “Medicus” në të cilën pretendohet se u krye transplantim i veshkave, akuzohet për trafikim me qenie njerëzore dhe krim të organizuar, ndërsa Sokol Hajdini për lëndim të rëndë trupor.

Pjesë e këtij gjykimi ishte edhe Arban Dervishi, djali i Lutfi Dervishit, por procedura ndaj tij është veçuar, ngase ai ndodhet në arrati.

Urologu Lutfi Dervishi ishte dënuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë me 8 vjet burg në vitin 2013, ndërsa Sokol Hajdini me 3 vjet.

Gjykata e Apelit më pas ia kishte vërtetuar dënimin Dervishit, ndërsa Hajdinit ia kishte shtuar vitet e dënimit me burg nga 3 vjet në 5.

Pastaj Gjykata Supreme e riktheu përsëri në rigjykim rastin “Medicus”, ndërsa Lutfi Dervishi që ndodhej në arrati, u arrestua disa ditë pas vendimit të Supremes për rigjykim.

Në seancën e shqyrtimi fillestar në korrik 2017, Lutfi Dervishi dhe Sokol Hajdini u deklaruan të pafajshëm.