Erdogan Fajëson Holandezët për Srebrenicën

Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan akuzoi holandezët për masakrat e Srebrenicës gjatë një fjalim të drejtpërdrejtë televiziv të martën, duke shkaktuar zemërim në Holandë.

“Ne i njohim holandezët nga masakra e Srebrenicës. Ne e dimë se sa i kalbur është karakteri i tyre nga masakra e tyre e 8,000 boshnjakëve atje,” tha Erdogan në fjalim.

Kryeministri holandez Mark Rutte e kundërshtoi akuzën e Erdoganit në një intervistë të transmetuar nga transmetuesi holandez RTL Z të martën pasdite, duke i quajtur komentet një “shtrembërim i pështirë i historisë”.

Pasi forcat serbe të Bosnjës pushtuan qytetin lindor boshnjak në korrik të vitit 1995, disa qindra boshnjakë u strehuan brenda bazës së paqeruajtësve të OKB-së pranë Potocarit, por iu dorëzuan serbëve nga paqeruajtësit holandezë dhe më pas u vranë.

Forcat serbe më pas ekzekutuan më shumë se 7,000 burra dhe djem boshnjakë në masakra që janë përcaktuar si gjenocid nga vendimet e gjykatave ndërkombëtare.

Akuza e Erdoganit ishte përshkallëzimi i fundit në një zënkë diplomatike të nivelit të lartë midis Turqisë dhe Holandës, e cila shkaktoi zemërimin e kryeministrit turk në fundjavë duke mos lejuar ministrin e tij të jashtëm dhe ministrin e brendshëm të merrnin pjesë në tubime në vend.

Ministrat kishin planifikuar t’i bashkoheshin tubimeve për të bindur turqit që jetojnë në Holandë për të votuar që kompetencat e presidentit të zgjerohen në një referendum më 16 prill.

Në përgjigje të ndalimit, Erdogan ka pezulluar marrëdhëniet e nivelit të lartë midis dy vendeve dhe akuzoi holandezët se sillen si nazistë.

Në korrik të vitit 2014, Gjykata e Qarkut në Hagë vendosi se paqeruajtësit holandezë kanë dështuar në mbrojtjen e boshnjakëve që kërkonin strehim në Potocari dhe urdhëroi Holandën të paguante kompensim për qindra viktimat.

Megjithatë, në gusht 2015, një gjykatë apeli ushtarake holandeze vendosi se komandantët e misionit paqeruajtës të OKB-së në Srebrenicë nuk mund të ndiqeshin penalisht.

Hasan Nuhanoviç, një i mbijetuar i Srebrenicës dhe ish-përkthyes i paqeruajtësve të OKB-së, dhe familja e Rizo Mustafiç, i cili u vra nga forcat serbe, kishin apeluar kundër një vendimi për të mos akuzuar tre ish-paqeruajtës holandezë për krime lufte.