Zona kufitare me Malin e Zi | Foto: KALLXO.com

Deputetët: Vendosim Vetë për Demarkacionin

1 shtatori është data e caktuar kur në Kuvend do të zhvillohet seanca që ka në rend dite marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi të nënshkruar në Vjenë më 26 gusht 2015, ndërsa deputetëve vazhdimisht po u bëhet thirrje nga pozita e opozita ta votojnë apo të mos e votojnë këtë marrëveshje.

Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Shpejtim Bulliqi që dëshiron rinegociimin e marrëveshjes, thotë për KALLXO.com se deklaratat e krerëve të shtetit-Presidentit Hashim Thaçi dhe Kryeministrit Isa Mustafa për ratifikim janë presion që ai pret të mos ndikojë te deputetët.

“Unë mendoj se këto deklarata  të vazhdueshme  kësisoji janë një formë e presionit që është duke iu bërë deputetëve të Kuvendit të Kosovës, mirëpo unë jam shumë i bindur që deputetët tashmë vetëm shumica absolute kanë ndarë mendjen e tyre. Jemi të njohur faktikisht me të gjitha lëshimet që i kanë bërë komisioni shtetëror për demarkacion, por besoj se i kanë gjërat e qarta pothuajse të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës,” tha Bulliqi për KALLXO.com.

Presidenti Hashim Thaçi të enjten e kaluar kur iu drejtua kombit, por edhe të shtunën dhe të hënën bëri thirrje që demarkacioni të kalojë në Kuvend që Kosovës t’i hapet rruga dhe të mos izolohet nga bota.

http://kallxo.com/thaci-perseri-kerkon-ratifikimin/

Me fjalë tjera të njëjtën gjë e kërkoi Kryeministri Isa Mustafa të hënën, duke thënë se Kosova nuk do të ketë kufij tjerë me shtetin fqinj.

http://kallxo.com/mustafa-nuk-te-kete-kufij-tjere/

Por as opozita nuk ndenji duarkryq, edhe ajo loboi për të kundërtën-mosvotimin e marrëveshjes në Kuvend.

Deputeti i pavarur Ramiz Kelmendi që më herët ishte pjesë e PDK-së, ndërsa është deklaruar se do të votojë kundër marrëveshjes së demarkacionit, thotë për KALLXO.com se pasi nuk është pjesë e partisë në koalicionin qeveritar, nuk ka presion nga krerët e shtetit, por ai përmend presionin opozitar.

“Po mendoj se ekzistojnë dy palë thirrje, ekzistojnë thirrjet e pozitës dhe ato të opozitës. Të dyja janë të zorshme dhe të dyja janë presionbërëse ndaj deputetëve, për arsye se njëra palë është për mos me votu e tjetra palë me e votu, mirëpo sa u përket thirrjeve jam i pavarur nuk kam asnjë ftesë nga pozita dhe shumë shkrime nga opozita, email-a, mesazhe anonime që demarkacionin mos me e votu,” tha Kelmendi.

Raif Qela nga Lëvizja për Bashkim, pjesë e koalicionit qeveritar, thirrjet për ose kundër demarkacionit ende nuk i merr si presion.

“Thirrjet e kujtdoqoftë për të votuar për apo kundër këtij variacioni të demarkacionit, unë nuk i marr si presion. Ato i konsideroj thjesht si përpjekje për t’i bindur të tjerët për pikëpamjen që ata shprehin. Përderisa kjo thirrje nuk shoqërohet me ndonjë formë të kërcënimit a shantazhit, nuk ka arsye të konsiderohet presion,” thotë Qela.

Ai bën me dije se do të votojë në pajtim me bindjet e tij dhe jo i ndikuar nga ndokush tjetër.

“Unë do të votoj sipas bindjeve të mia dhe të organizatës së cilës i përkas. Lëvizja për Bashkim ka deklaruar qysh në mars të këtij viti se në rrethanat e krijuara, mënyra e vetme e drejtë e veprimit është që t’i hapet rrugë dërgimit të kësaj çështjeje në arbitrazh ndërkombëtar,” tha Qela.

Ndërsa Shpejtim Bulliqi përsërit se duhet të bisedohet me palën malazeze për pikat kontestuese.

“Ma mirë do të ishte që me anë të një kompromisi me qeverinë malazeze me u ul dhe me i rishqyrtu ato pika kontestuese ku janë, me e zgjedh problemin e atyre pikave kontestuese, e tek më pastaj me sjell në kuvend,” sugjeron Bulliqi.

Ai shpreson që kështu si është, marrëveshja e demarkacionit të mos ratifikohet.

“Po në rast se qeveria do ta sjellë në Kuvend, sigurisht që gjërat pak a shumë janë të ditura dhe unë kam shpresë shumë të madhe se kjo nuk do të kalojë nga Kuvendi i Kosovës,” thotë Bulliqi.

Për t’u miratuar marrëveshja e demarkacionit duhen votat e 80 deputetëve, ose të dy të tretave të numrit të përgjithshëm të tyre.