Gjykimi i Granit Paçarizit | Foto: KALLXO.com

I Dëmtuari: Plagët i Kam Marrë prej Granit Paçarizit

Në gjykimin për vrasje të rëndë në tentativë dhe armëmbajtje pa leje të Granit Paçarizit, i dëmtuari Hamit Allangar tregoi se plagët i ka marrë nga Paçarizi.

“Mu m’ka plagos Graniti, unë plagët i kam prej tij. Egzoni i ka plagët po ashtu. Ky [Granit Paçarizi]mundohet nipit vet me ja qit fajin dhe nuk e di pse zvarritet qe  4 vjet kjo çështje “, tha Allangar në gjykatë .

Granit Paçarizi akuzohet se në vitin 2013 plagosi në Prizren Allangarin dhe të dëmtuarin tjetër Egzon Krasniqi, pas një mosmarrëveshje.

Hamit Allangar tregoi se gjithçka në ditën kritike nisi nga një SMS dhe nga një bisedë telefonike që ai tha se e kisht6e pasur me të akuzuarin Paçarizi në lidhje me një karikator  të një arme që i dëmtuari ia kishte marrë tash të akuzuarit.

“Ai ma lypi karikatorin , por unë i thashë se karikatorin së bashku me armën ia kam dhënë H. G. pasi ky i fundit më është lutur t’ia jap për ta kthyer përsëri tek ti”, tregoi Allangar.

Ai më tutje rrëfeu se si ndodhi plagosja e tij dhe Egzon Krasniqit.

Allangar deklaroi se më 6 korrik 2013 kishte dalë me makinë për të kryer disa punë personale dhe kur e kishte parë Granit Paçarizin me veturën e tij ishte ndalur për t’u sqaruar rreth karikatorit.

“Unë u ndala me qëllim që të sqaroj punën e karikatorit , me këtë rast kam dalë vetë nga vetura dhe jashtë lokalit-pastiçerisë kishin qenë ulur Amir Uka pronari i lokalit , Graniti dhe një  person nga fshati Opterushë që s’më kujtohet emri dhe posa jam afruar te këta persona filluam të grindemi ashtu që unë me Granitin dhe personin tjetër nga Opterusha  kemi filluar të rrihemi me grushte, ndërkohë nga automjeti im  ka dalë edhe Egzoni, i cili po ashtu u  involvua në rrahje”, tregoi Allangar.

Rrahja sipas të dëmtuarit Allangar kishte vazhduar edhe brenda pastiçerisë “Jupa”, ndërsa në një moment, pasi Egzon Krasniqi e kishte goditur me dru në kokë Granit Paçarizin, Paçarizi e kishte nxjerrë revolen dhe e kishte qëlluar në gjoks Krasniqin.

Hamit Allangar tha se ishte përpjekur t’ia marrë revolen Paçarizit, ndërsa gjatë kësaj përpjekjeje ishte plagosur në dorë prej tij.

“ Duke shikuar ku mbeti Egzoni  jam larguar nga aty duke vrapuar në mënyrë zig-zage drejt  ‘Euro market’  dhe në momentin kur jam ndalur që të largoj një fëmijë nga rruga unë jam goditur nga një plumb në këmbën e djathtë,  saktësisht  në pjesën e prapme të nëngjurit “, tha Allangar.

I dëmtuari tregoi se problemi mes Ideal e Granit Paçarizit dhe Egzon Krasniqit kishte nisur për një vendparking afër një kampi bjeshkatarësh, një ditë para se të ndodhte plagosja e Hamit Allangarit dhe Egzon Krasniqit.

Tha se atë ditë më 5 korrik 2013 kishte arritur t’ia merrte armën Paçarizit, për të cilin ndodhi rrahja dhe plagosja të nesërmen.

Hamit Allangar tha se në kontest civil do të paraqesë kërkesë për kompensim të dëmit.

Në seancë ishte ftuar të dëshmojë edhe Egzon Krasniqi, por ai nuk u paraqit për të dëshmuar. Si dëshmitarë nuk erdhën as Hajredin Gushi dhe  Dardan Çollaku.

Për Krasniqin dhe Gushin gjykata lëshoi urdhëresë për sjellje të tyre me detyrim në gjykatë, ndërsa Dardan Çollakut do t’i dërgohet ftesë e rregullt për të dëshmuar.

Për të dëshmuar ishte ftuar edhe Samid Kastrioti, njëri nga të vrarët e përleshjeve të Kumanovës më 9 e 10 maj në Kumanovë.

Para se të dëshmonte Hamit Allangar, në fjalën hyrëse Granit Paçarizi u deklarua i pafajshëm për vrasje të rëndë në tentativë dhe armëmbajtje pa leje.

Prokurorja Ervehe Gashi dhe avokati i Paçarizit sipas detyrës zyrtare Pjetër Përgjoka thanë se do t’u mbeten besnikë fjalëve të thëna në shqyrtimet gjyqësore të mëparshme.

Seanca e radhës do të mbahet më 31 maj.

KALLXO.com e ka ndjekur edhe më herët gjykimin e Granit paçarizit.

http://kallxo.com/denoncuesi-korrupsionit-granit-pacarizi-ne-gjykate/

Granit Paçarizi është palë e dëmtuar në gjykimin e prokurorit Bajram Hamitaga.

Për rastin e prokurorit Hamitaga ‘Drejtësia në Kosovë” shfaqi një hulumtim në maj të vitit të kaluar. Pas këtij hulumtimi ndaj Hamitagës u ngrit aktakuzë.