Bajram Hamitaga, prokurori që u suspendua pas emisionit "Drejtësia në Kosovë" - Foto: KALLXO.com

‘Z Mobile’ Nuk i Përgjigjet Gjykatës, Shtyhet Gjykimi i Prokurorit të Suspenduar

Në gjykimin e prokurorit të suspenduar Prokurorisë Themelore të Prizrenit, Bajram Hamitaga dhe ish-shoferit të kësaj Prokurorie, Luan Delili, nuk u sigurua prova e kërkuar nga operatori “Z Mobile”.

Në seancën e kaluar u aprovua kërkesa e mbrojtjes që të nxirret hyrje – dalja e bisedave të shkëmbyera në mes të Luan Delilit e babait të të dëmtuarit Sadri Paqarizit të bëra në ditën kritike me qëllim që të vërtetohet se Paqarizi ka ftuar Delilin në restorant e jo anasjelltas.

Në incizimin në fjalë, të cilin emisioni “Drejtësia në Kosovë” e kishte publikuar në maj të vitit 2016, vërehet shoferi i Prokurorisë së Prizrenit, tanimë i akuzuar, Luan Delili, së bashku me familjen Paqarizi në restorantin e këtyre të fundit, duke diskutuar për “mbylljen” në Gjykatë të rastit të Granit Paqarizit, diskutim ku lakohet emri i prokurorit Hamitaga.

Si rrjedhojë, Gjykata i ka dërguar urdhëresë operatorëve ekonomikë për të kërkuar këto prova nga dy numrat e telefonit.

Por, njëri nga operatorët ekonomik, “Z Mobile”, nuk u është përgjigjur.

“Kemi siguruar aktet shkresore vetëm nga’ Ipko’, kurse nga ‘Z Mobile’ edhe pse në shkresa të lëndës urdhëresa i është dorëzuar përgjigje prej tyre nuk kemi marrë”, komunikoi kryetari i trupit gjykues, Aziz Shaqiri.

Ndonëse operatori ‘Ipko’ i ka kthyer përgjigje Gjykatës, ata nuk kanë mundur të ndihmojnë pasi që sipas tyre të dhënat e kërkuara sipas urdhëresës ruhen vetëm një vit kalendarik.

“Nga ‘Ipko’ ka marrë përgjigjen se të dhënat e kërkuara sipas urdhëresës ruhen vetëm një vit kalendarik, andaj edhe kjo është pengesë që të dhënat e kërkuara nuk i kanë dorëzuar”, shtoi ai.

E mbrojtësit e të akuzuarve që të dy kërkuan që të mos hiqet dorë nga marrja e përgjigjes nga operatori “Z Mobile” meqenëse një gjë e tillë është e rëndësishme për zbardhjen e së vërtetës.

“Unë mendoj që sigurimi i kësaj prove për komunikimin i cili është bërë mes të akuzuarit Delili dhe Sadri Paqarizit në cilësinë e dëshmitarit në këtë çështje penale është me rëndësi sepse vet ky fakt na bën të qartë edhe çështjet tjera të cilat i kemi shtjelluar”, tha avokati i Hamitagës, Ilmi Qerimi.

E këtë propozim e kundërshtoi përsëri prokurori Arben Ismajli me arsyetimin se edhe me sigurimin e kësaj prove nuk do të ndryshohet gjendja faktike.

Madje ai lexoi edhe një pjesë të deklaratës së Delilit të dhënë në prokurori në vitin 2016, duke aluduar në atë se Delili vetëm se e ka pranuar se prokurori Hamitaga ka qenë në dijeni për takimin me familjen e të dëmtuarit.

“’A ka pasur njohuri prokurori Hamitaga që ju keni me u taku me familjarët e Granitit?”, i njëjti (Luan Delili) është përgjigjur: “Po, sepse ai më ka thënë dhe më ka njoftuar për rastin siç e ceka më lart”, citoi prokurori nga deklarata e Delilit e dhënë në prokurori.

Trupi gjykues qëndroi përsëri pranë vendimit që të pritet për përgjigje nga “Z Mobile”, duke theksuar se do të përsëritet urdhëresa përmes rrugëve ligjore.

Seanca nuk vazhdoi dhe ajo e radhës u caktua për në muajin shkurt.

http://kallxo.com/prokurori-suspenduar-nuk-kerkova-te-holla-nga-familja-paqarizi/

Aktakuza ndaj Hamitagës dhe Delilit u ngrit nga Prokuroria Themelore në Gjilan më 26 shtator.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Hamitaga, i cili ka qenë prokuror në Prokurorinë Themelore të Prizrenit, nga muaji korrik i vitit 2013 deri më 22 janar 2015, në cilësinë e personit zyrtar me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete dhe djalin e tij, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin e tij zyrtar, nuk i ka përmbushur detyrat e tij zyrtare, me çka ka kryer veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare apo autoritetit zyrtar.

I  pandehuri i dytë i këtij rasti, Luan Delili, më 8.4.2016, akuzohet se  me anë të premtimit e ka nxitur personin tjetër që të përmbahet nga dhënia e deklaratave, në mënyrë që të tërhiqet nga dhënia e deklaratave që i ka dhënë në seancën gjyqësore në Gjykatën Themelore në Prizren, se i pandehuri i parë Bajram Hamitaga, ka kërkuar 5.000 euro, me çka ka kryer veprën penale të frikësimit gjatë procedurës penale.

Hamitaga dhe Delili janë deklaruar të pafajshëm në pretendimet e prokurorisë.

Prokurori Hamitaga ishte suspenduar pas transmetimit të emisionit “Drejtësia në Kosovë“.

KALLXO.com ka ndjekur në vazhdimësi gjykimin e prokurorit të suspenduar.