Ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi - Foto: KALLXO.com

Bytyqi: Në Bord të UP-së do të Kemi Njerëz të Përgjegjshëm

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi ka folur lidhur me arsyet e shkarkimit të Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës.

Bytyqi në një intervistë për KALLXO.com tha se vendimi i javës së kaluar për  shkarkim të katër anëtarëve që ishin emëruar nga MAShT u bë për shkak të mostransparencës së Këshillit.

Vendimi i Bytyqit për shkarkimin e këtij Këshilli ditë më parë ngjalli reagime tek anëtarët e këtij Këshilli.

Sipas ish-kryesuesit të Këshillit Drejtues, Ismet Salihu, ky shkarkim u bë në mënyrë që të emërohen njerëz të politikës.

Bytyqi nuk deshi të komentojë në deklaratën e Salihut duke thënë se po të ishte qëllimi i emërimit të njerëzve të politikës , ata do të ishin emëruar kohë më parë.

“Nuk ka të bëjë fare me çështje politike. Ne shpresojmë që të gjejmë persona që do të emërohen në Këshill, përgjegjës në punën që do ta bëjnë edhe shumë më aktiv. Jemi në proces, pra po t’i kishim pasur të politikës, tashmë i kishim pasur të gatshëm dhe do t’i kishim emëru…”, tha Bytyqi.

Ministri në këtë intervistë po ashtu foli lidhur me vendimin e ish-Këshillit Drejtues për uljen e bursave të studentëve nga 600 në 500 euro, i cili më pas ishte revokuar pas presionit qeveritar dhe të studentëve.

Sipas ministrit, arsyetimi i Këshillit se nuk ka mjete të mjaftueshëm për arritjen e një burse më të lartë nga UP-ja nuk qëndron dhe se për këtë ata nuk do duhej të kërkojnë mjete nga MAShT.

“Një Këshill Drejtues, një menaxhment i universitetit nuk duhet të deklarojë për diçka që e ka vetë në dorë dhe vetë duhet ta zgjidhë. Është dashur të ketë një menaxhim shumë më të mirë për ndarjen e bursave… Është dashur të planifikohet shumë më mirë..”, tha Bytyqi.

http://kallxo.com/bytyqi-reduktimi-universiteteve-nuk-konvenon-vetem-rektoreve/

Ministri në këtë intervistë foli edhe lidhur me çështjet e arsimit parauniversitar dhe pjesë të kësaj interviste do të publikohen ditëve në vazhdim.