Avdullah Hoti për Transparencë të Bizneseve

Hoti foli në takimin e parë për këtë vit të zyrtarëve të Ministrisë së Financave me përfaqësues të Këshillin Kosovar për Raportim Financiar (KKRP).

Ky këshill licencon auditorët dhe përcakton standardet kosovare të auditimit dhe kontabilitetit. Këtij këshilli i raportojnë pasqyrat e tyre financiare edhe bizneset kosovare.

Ministri Hoti tha se qeveria do t’u krijojë kushte bizneseve për hartimin e këtyre pasqyrave.

“Këshilli i Kosovës për Raportim Financiar do të ketë përkrahjen e vazhdueshme të Qeverisë së Kosovës dhe Ministrisë së Financave sa i përket krijimit të kushteve sa më të mira për bizneset për hartimin e pasqyrave financiare, si dhe dorëzimin e tyre në mënyrë të rregullt në KKRF, me synim të kontributit në besueshmërinë dhe transparencën e pasqyrave financiare,” tha Hoti.

Kryesuesi i Këshillit të Kosovës për Raportim Financiar, Gem Maloku, premtoi kontrollim të cilësisë së punës së atyre që ky këshill licencon.

“Këshilli i Kosovës për Raportim Financiar është i përkushtuar edhe në fillimin e aktiviteteve të kontrollit të cilësisë të punës së auditorëve ligjorë, firmave të auditimit ligjor dhe shoqatave profesionale,” tha Maloku.

Para se t’i thotë këto fjalë, Maloku paraqiti raportin e punës së Bordit të Këshillit të Kosovës për Raportim Financiar dhe planin për këtë vit.

Në takim u diskutua edhe për harmonizimin e ligjeve kosovare me ato të BE-së në fushat e auditimit dhe kontabilitetit.