ZKA: Mbi 1.7 milionë euro subvencione të paarsyetuara në MKRS për 2022

Mbi 1.7 milionë euro është fatura e subvencioneve të paarsyetuara që është evidentuar në raportin vjetor të Zyrës Kombëtare të Auditimit për pasqyrat financiare vjetore në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit për 2022.

Auditori ka gjetur se përfituesit e subvencioneve nuk kishin dorëzuar me kohë siasa marrëveshjes raportet për arsyetimin e shpenzimeve, në vlerë prej 1,784, 551 euro për vitin që shkoi në MKRS.

Në 19 raste të testuara (një rast nga viti 2021) në vlerë totale prej 1,784, 551 euro përfituesit e subvencioneve nuk kishin dorëzuar raportet për arsyetimin e shpenzimeve me kohë, të cilat sipas marrëveshjeve do të duhej të ishin mbyllur. Avancet figurojnë ende të hapura”- thuhet në raportin e ZKA-së për MKRS-së për 2022.

Sipas ZKA-së, avancet e hapura sipas departamenteve janë 11 në sport, 7 në kulturë dhe 1 në QKK.

Gjithashtu auditorët ka gjetur se në dy raste tjera ishin vërejtur dobësi në mbylljen e subvencioneve.

Sipas ZKA-së, mosarsyetimi i subvencioneve nga përfituesit ishte pasojë e menaxhimit jo të mirë të procesit të dhënies së subvencioneve si dhe mungesës së mekanizmave adekuat që do t’i kushtëzonte përfituesit që të raportojnë për projektet e subvencionuara.

ZKA thotë se mosarsyetimi dhe raportimi për projektet e subvencionuara, mund të dëmtojnë buxhetin e ministrisë dhe rrisin mundësinë e përdorimit të fondeve për qëllime tjera.

“Ministri duhet të siguroj se të gjitha projektet e subvencionuara të organizatave jo qeveritare (OJQ) arsyetohen në kohën e paraparë dhe me dokumentet mbështetëse valide të parapara me rregulloren për subvencione dhe transfere. Në rastet e mos arsyetimit të subvencioneve, të ndërmerren veprimet ligjore, siç parashihet me marrëveshjet përkatëse”- thuhet në raportin e ZKA-së për MKRS-në për 2022.

Edhe në raportin e 2021 të ZKA-së për MKRS-në ishin evidentuara probleme me mos arsyetim të subvencioneve nga përfituesit.

Çështja e mos arsyetimit e subvencioneve është në mesin e me 16 rekomandime të ZKA-së për MKRS-së në raport, prej tyre shtatë janë rekomandime të reja, tetë të përsëritura dhe një pjesërisht i përsëritur.