Ilustrim

Zyrtarët e Podujevës udhëtuan në Mal të Zi e Shqipëri, por nuk i arsyetuan 1,325 euro shpenzime

Komuna e Podujevës për udhëtim zyrtar dy ditorë në Shqipëri dhe Mal të Zi për zyrtarë komunalë, kishte marrë avancë në vlerë prej 6 mijë euro, e të cilin nuk e kishte përdorur në pajtim me kërkesat ligjore.

Sipas Zyrës Kombëtare të Auditimit, ky avancë nuk ishte përdorur në pajtim me kërkesat ligjore për shkak se përveç shpenzimeve të lejuara (fjetja dhe ushqimit dhe shpenzimeve të vogla), avanci ishte arsyetuar edhe me shpenzime tjera të palejuara për pije dhe ushqim.

“Vlera e paarsyetuar është 1,325 euro”- theksohet në raportin e auditimit.

Sipas ZKA-së, vizita ishte realizuar nga data 1 deri më 3 dhjetor 2022.

Auditori ka theksuar se kjo ka ndodhur për shkak të kontrollit të dobët të zyrës së financave, e cila ka pranuar fatura për shpenzimet e palejuara me rastin e mbylljes së avancit në pajtim me kërkesat ligjore.

“Vendimi 30/2018 i nxjerr nga Ministria e Financave i aprovon tarifat për udhëtime jashtë vendi. Sipas këtij vendimi shpenzimet ditore për Shqipëri janë 130€, prej tyre 91€, parashihen për fjetje ndërsa 39€, për ushqim dhe shpenzime të vogla. Në rastet kur shpenzimet janë më të ulëta se sa ato të parapara ato duhet të kthehen” – thuhet në raport.

Ndërsa thuhet se avanci i marrë për mbulimin e shpenzimeve të fjetjes duhet të arsyetohen me fatura, ndërsa avanci që jepet për ushqim dhe shpenzime të vogla nuk ka nevojë të arsyetohet.

ZKA ka thënë se shpenzimi i avancit për udhëtime zyrtare jo në pajtim me kërkesat ligjore ndikon në dëmtimin e buxhetit komunal.

Kurse për kryetarin e komunës ka rekomanduar t’i shtoj kontrollet për të siguruar se zyra e financave nuk do ta lejoj asnjë shpenzim nëse nuk janë të arsyetuar në pajtim me kërkesat ligjore.

Për këtë gjetje, përgjigjja e menaxhmentit të Komunës është se pajtohen me gjetjet e Auditorit.

ZKA ka njoftuar se deri në fund të auditimit për vitin 2022, në komunën e Podujevës pesë rekomandime janë zbatuar dhe shtatë rekomandime nuk janë zbatuar ende.