Auditori Nuk Preferon Auditimin e Partive Politike

Besnik Osmani, i posa zgjedhur në postin e shefit të Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm, në një intervistë për emisionin “Jeta në Kosovë”, ka folur për planin e menaxhimin e tij në krye të kësaj zyre.

Për herë të parë, Osmani ka folur për numrin e vogël të auditorëve që ka ky institucion, për objektin në të cilin janë me qira, për auditimin e ndërmarrjeve publike e auditimin e financave të partive politike.

Osmani është zotuar se me fillimin e punës si Auditor i Përgjithshëm në mandatin e tij kryesore është që të vendosë kontroll ekonomik dhe financiar për të gjitha organizatat publike, të cilat janë të obliguara që sipas ligjit të dorëzojnë raportet që financohen nga Buxheti i Kosovës, apo nga paraja publike.

“Qëllimi im strategjik është që të rritet gama e auditimit, përpos auditimit të përputhshmërisë që është bërë deri më tani, duhet të përforcohet auditimi i performancës dhe në të ardhmen të vazhdohet me IT auditimet që është mjaft i rëndësishëm. Deri më tani nuk ka pasur një auditim të rreptë në ndërmarrjet publike dhe në qasjen time strategjike është që të fusim dhe auditimin e ndërmarrjeve publike dhe të rrisim kapacitetet. Edhe pse ka qenë i dhënë me ligj, deri më tani nuk ka mundur të zbatohet”, tha Osmani për “Jeta në Kosovë”.

Ai ka folur edhe për auditimin e partive politike, për të cilin ka thënë se nëse Kuvendi i Kosovës u jep këtë detyrë ata do të bëjnë një gjë të tillë. Mirëpo sipas Osmanit, ZAP-i, më me dëshirë nuk do ta bënte një gjë të tillë.

“Nuk ka zgjidhje tjetër, ne duhet ta bëjmë edhe këtë auditim nëse Kuvendi na cakton këtë më ligj. ZAP ka kapacitete që të merret me këtë çështje. Kemi kërkuar që auditimi i partive politike të largohet, sepse ne jemi të thirrur në diçka tjetër që mos të kalojnë kompetencat në organizatat tjera”, tha Osmani.

Pavarësisht se nuk bëjnë pjesë në institucione publike, subjektet politike të përfaqësuara në Kuvend marrin një shumë prej 2 milionë euro në vit nga buxheti në emër të një ‘fondi të demokratizimit” i cili u ndahet këtyre subjekteve në proporcion me fuqinë e tyre në Kuvend.

Osmani tregoi edhe arsyetimet se pse në çdo raport të ZAP-it ka bartje të rekomandimeve nga viti në vit.

“Mandati i ZAP-it nuk është të luajë rolin hetimor në kontroll financiar dhe të imponojë zbatimin e rekomandimeve, por ne bëjmë auditimet dhe identifikimin e të gjeturave dhe në bazë të saj të japim rekomandimin dhe t’i adresojmë ato te menaxhmenti. ZAP ka për detyre t’i bëjë publike këto raporte dhe pastaj është në dorën e institucioneve për zbatimin e ligjit të veprojë nga këto gjetje”, tregoi Osmani.

Ai ka adresuar edhe problemin me numrin e vogël të zyrtarëve për auditim, i cili aktualisht është 120 zyrtarë për 190 organizata, gjë që nuk është i mjaftueshëm për këtë institucion.

Besnik Osmani është zgjedhur Auditor i Përgjithshëm nga Kuvendi i Kosovës me 76 vota në favor të tij. Mandati i tij është 5 vjeçar.