ARKIV: Arrestim i një të dyshuari nga Policia e Kosovës - Foto: KALLXO.com

Arrestohen të Dyshuarit për Vjedhje të Rëndë në Prizren

Policia Rajonale e Prizrenit njofton se pas një pune operative-hetimore, hetuesit e Stacionit Policor “Veriu” në Prizren, kanë arritur t’i identifikojnë dy persona, për të cilët dyshohet se kanë kryer vjedhje të rënda dhe dëmtime të pronave në së paku tri shtëpi në lagjen “Arbanë”.

Sipas raporteve hetimore ekziston dyshimi i bazuar se të njëjtit më 30 janar, rreth orës 20:00, tek Transiti i Ri, kanë depërtuar me forcë në një shtëpi dhe nga aty kanë shkoqur nga muret kabllo të instalimit elektrik dhe rrethojat e shkallëve prej metali, të gjitha këto për t’i shitur.

Policia njofton se intervista është kryer në prani të avokatit mbrojtës dhe më pas është konsultuar prokurori i shtetit, i cili ka urdhëruar që njëri nga të dyshuarit të ndalet në mbajtje.

Policia e Prizrenit thotë se janë siguruar prova që këta të dyshuar kanë kryer së paku edhe dy vjedhje të ngjashme në “Arbanë”.

Në cilësi të provës materiale janë sekuestruar edhe mjete pune: një çekiç i madh dhe një karrocë dore.

“Në momentin e arrestimit i dyshuari mbante veshur një xhaketë me kapelë-maskë”, thuhet në njoftimin e Policisë, e cila ka ofruar një fotografi të këtij të dyshuari.