Prokurorja Vahide Badivuku në gjykatë | Foto: KALLXO.com

Apeli Vërteton Dënimin e Prokurores

Gjykata e Apelit përmes një komunikate për media ka njoftuar se i ka refuzuar si të pabazuara ankesat në rastin e të pandehurve Vahide Badivuku dhe Idriz Kelmendi, duke vërtetuar kështu aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë të datës 5 prill 2016

Sipas kësaj komunikate, kolegji gjyqësor gjeti se pretendimet ankimore të të akuzuarve, mbrojtësve te tyre dhe Prokurorisë Speciale nuk qëndrojnë dhe se gjykata e shkallës se parë ka vepruar drejt kur të akuzuarit i ka shpallur fajtorë dhe i ka dënuar sipas ligjit.

Më datën 5 prill 2016 prokurorja e Prokurorisë Themelore të Mitrovicës Vahide Badivuku u shpall fajtore nga Gjykata Themelore në Prishtinë për marrje ryshfeti.

Ajo u dënua me 3 vjet burg efektiv, 5 mijë euro gjobë dhe ndalim të ushtrimit të profesionit për tre vjet.

I akuzuari i dytë në këtë rast, Idriz Kelmendi ishte dënuar me një vit e gjashtë muaj burg, ndërsa Isak Smakolli u gjobit me 3 mijë euro.

Sipas aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, përveç dënimeve të shqiptuara, Vahide Badivuku dhe Idriz Kelmendi u detyruan që në mënyrë solidare të kthejnë 13 mijë euro, ndërsa Isak Smakolli 4 mijë euro.

Në rastin ndaj prokurores gjykata themelore hodhi poshtë pikën e akuzës së saj për keqpërdorim të detyrës zyrtare.