Pamje nga një aksident i mëhershëm komunikacioni - Foto: KALLXO.com

Aksidentet në Trafik, 19 të Vdekur në Rajonin e Prishtinës

Kështu ka njoftuar sot Drejtoria Rajonale e Policisë në Prishtinë.

Policia e ka dhënë këtë bilanc pas një aksidenti tjetër me fatalitet që ka ndodhur sot rreth orës 12:00 në Dobërdol të Podujevës, për të cilin raportoi më herët KALLXO.com.

Sipas njoftimit të Policisë, një këmbësor ka mbetur i vdekur si pasojë e një aksidenti mes dy automjetesh, me ç’rast njëra prej veturave e godet 59-vjeçarin Sh.G. duke i shkaktuar lëndime vdekjeprurëse. Trupi i viktimës është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

Po ashtu, Policia e Rajonit të Prishtinës ka njoftuar se gjatë kësaj kohe kanë ndodhur 1.377 aksidente trafiku me të lënduar, me ç’rast të lënduar kanë mbetur 2.781 persona.

Gjithashtu, Policia njofton se nga janari deri më sot kanë ndodhur 3.045 aksidente trafiku me dëme materiale.

Duke pasur parasysh këtë numër shqetësues të aksidenteve, Policia u ka bërë thirrje të gjithë pjesëmarrësve në trafik që të respektojnë me përpikëri të gjitha rregullat e kodit rrugor në mënyrë që të ulet numri i aksidenteve dhe të rritet shkalla e sigurisë në trafik.