Ajri i Ndotur: Si Mund të Mbrohemi?

Ulja e ekspozimit ndaj ajrit të ndotur por edhe vendosja e maskave janë mjetet të qytetarët i kanë në dorë për ta mbrojtur veten ndotja, thonë zyrtarë të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës (IKSHP).

Antigona Ukëhaxhaj nga ky Institut, flet për KALLXO.com për shqetësimet e ditëve të fundit për ndotjen në ngritje të ajrit në prishtinë.

Ajo i rekomandon qytetarët që të qëndrojnë në ambiente të brendshme gjatë kohës kur ndotja është më e madhe.

“Si mjek unë do t’iu preferoja sado që është e mundur të kufizojmë lëvizjet sidomos në orët e mëngjesit dhe të mbrëmjes… Do t’u sugjeroja të prekurve të sëmundjeve të traktit respirator të mos i frekuentojnë orët e paradites dhe orët e mbrëmjes — kur është piku i trafikut dhe fillimi i ndezjes së amvisërive apo ngrohjeve private”, tha ajo.

Ukëhaxhaj thotë se nuk është duke e rekomanduar ndaljen në tërësi të qarkullimit të njerëzve por vetëm mbrojtjen nga ekspozimi i tyre në ajër të ndotur gjatë orëve të mbrëmjes kur ndotja është vlerësuar të jetë më e lartë.

“Dhe për ata të cilët vërtetë të gjenden jashtë në orët kur kemi koncentrime të tejkaluara ndotëse, të vendosin një maskë, të vendosin shall për ata që nuk duan të vendosin maskë në mënyrë që t’i pengojnë grimcat, avujt dhe aerosolet të depërtojnë në rrugët e frymë-marrjes dhe të vijë deri te komplikimet apo shfaqja e sëmundjeve”, tha doktoresha.

Ajri në kryeqytet është cilësuar si i pashëndetshëm e shpeshherë i rrezikshëm sipas matjeve të Ambasadës Amerikane në Prishtinës dhe Institutit Meterologjik të Kosovës.

Sa i përket grupeve më të rrezikuara nga ndotja e ajrit, Ukëhaxhaj deklaroi se të gjithë janë të rrezikuar mirëpo më të ndjeshëm ndaj ndotjes janë fëmijët, gratë shtatzëna, të moshuarit, personat me sëmundje kronike dhe ata të prekur nga sëmundjet e frymëmarrjes dhe të zemrës.

“Mund të përballen edhe me efektet akute të rrugëve të sipërme respiratore si dhe alergjitë apo edhe simptomave të tjera të traktit respirator”, shtoi Ukëhaxhaj.

Mirëpo doktoresha e IKSHP-së tregoi se edhe grupmoshat e rritura janë prekur dukshëm nga sëmundjet të ndryshme.

“Këto ditë është rritur numri i pranimeve spitalore sa i përket sëmundjeve kardiovaskulare dhe atyre respiratore” tha Antigona Ukëhaxhaj.

Tejkalimet sipas matjeve të Ambasadës Amerikane dhe Institutit Hidro-Meterologjik kanë kaluar katërfishin, pesëfishin nganjëherë edhe dhjetëfishin, e tërë kjo po na ndodh si pasojë e mungesës së reshjeve në këtë periudhë viti, terrenit fushëgropë të Prishtinës, pranisë enorme të pluhurit si dhe komponentëve të tjerë të cilët janë futur në burimet ndotëse.

Ukëhaxhaj këtu e përmendi trafikun e dendur, veturat e vjetruara, ngrohjen në sezonin dimëror dhe djegien e mbeturinave.

Gazeta Jeta në Kosovë ka shkruar më herët për kthimin e ajrit të pashëndetshëm në kryeqytet.

http://kallxo.com/gjnk/ajri-pashendetshem-gati-vetem-po-identifikohen-ndotesit/

11 Janar 2018 - 15:31

Ardit Kika 11/01/2018 - 15:31
NDËRVEPRIMI0
Prishtina Insight
NA NDIQNI

Send this to a friend