Pallati i Drejtësisë - Foto: KALLXO.com

800 Euro Gjobë për Armëmbajtje pa Leje

Kujtim Bejiqi u dënua nga Gjykata Themelore në Prishtinë me 800 euro gjobë për shkak te armëmbajtjes pa leje.

Ai para  trupit gjykues deklaroi se e ndjen vetën fajtor dhe e pranon veprën penale për të cilën akuzohet.

“Po, e pranoj fajësinë për veprën penale, më vjen keq për veprën e kryer dhe nuk do ta përsëris më”, tha  Kujtim Bejiqi në gjykatë.

Behar Ejupi, avokati i të akuzuarit  Bejiqi, i kërkoi trupit gjykues që gjatë marrjes së vendimit të ketë për bazë rrethanat dhe të mbrojturit të tij t’i shqiptojë dënim me gjobë.

“Ne jemi konsultuar edhe me klientin tim dhe siç shihet edhe në aktakuzë Kujtim Bejiqi ka pranuar fajësinë lidhur me veprën penale, prandaj gjykata në momentin e marrjes së dënimit të marrë si rrethanë lehtësuese edhe pranimin e fajësisë, pendimin e tij të sinqertë, i cili është një garancë e fortë se në të ardhmen nuk do të kryejë më një vepër të tillë”, tha avokati Ejupi.

Avokati më tutje deklaroi se i mbrojturi i tij është i ri, ndërsa më parë nuk ak qenë i hetuar ose i akuzuar për ndonjë vepër tjetër penale.

Sipas aktakuzës.  Kujtim Bejiqi që prej ditës së pacaktuar të shtatorit 2013 deri me 24.01.2014 në shtëpinë e tij në Prishtinë ka mbajtur në pronësi pistoletën me gaz të tipit  “Reck  Model” te kalibrit  9 milimetra.