Ilustrimi: cio.com

28% e Fëmijëve Kanë Përjetuar Dhunë Përmes Internetit

28 për qind e fëmijëve të anketuar nga mosha 9- 15 vjeç kanë deklaruar se kanë përjetuar dhunë përmes internetit,  ndërsa 73% prej tyre nuk kanë biseduar me askënd për dhunën e përjetuar ne internet.

11 për qind e të anketuarve- fëmijë kanë deklaruar se vetë kanë ushtruar dhunë në internet ndaj të tjerëve.

Këto të dhëna u publikuan sot në konferencën e organizuar për Ditën e Internetit të Sigurt me moton “Krijo, Lidhu dhe Trego Respekt: Një Internet më i Mirë Fillon me Ty”.

Heset Sahiti, zëvendësministër në Ministrinë e Arsimit tha se MASHT-i synon rritjen e përgjegjësisë së mësimdhënësve, nxënësve dhe prindërve për rreziqet të cilat vijnë nga interneti.

“MASHT-i do të bashkëpunojë ngushtë me të gjitha institucionet që kanë rol kyç në këtë fushë dhe në shoqërinë civile. Ne besojmë së vetëm atëherë kur të gjithë nga ne do të kontribuojmë më kapacitete tona, do të arrijmë që të kemi sukses në këtë fushë”, tha Sahiti.

Ndërsa James Mugaju, zëvendësshef i Zyrës së UNICEF-it për Kosovën, tha se të gjithë duhet të punojmë së bashku në mënyrë që të minimizojmë përdorimin e internetit nga ana e fëmijëve.

Në bazë të të dhënave të paraqitura në këtë konferencë 88,8% e ekonomive familjare në Kosovë kanë qasje në internet në shtëpi.

26% e fëmijëve të moshës 9-15 vjeç kanë deklaruar që kanë parë përmbajtje pornografike, prej të cilëve 10% kanë parë çdo ditë pamje të tilla.

Kosova  ka formuar Komitetin Kosovar për Ditën e Internetit të Sigurt (KKDIS) që është anëtarësuar në Rrjetin Ndërkombëtar Safer Internet Day në vitin 2014.

Që nga atëherë KKDIS-i shënon Ditën e Internetit të Sigurt me aktivitete të ndryshme, fushata vetëdijesuese në sheshet kryesore të qyteteve dhe postimin e fotografive dhe mesazheve pozitive në rrjetet sociale.

KALLXO.com ka shkruar edhe për aktivitetet e viteve tjera për një internet të sigurt.

http://kallxo.com/te-mirat-dhe-te-keqijat-e-perdorimit-te-internetit-nga-femijet/