22 Muaj Burgim për Afro 12 Kilogramë Marihuanë

Një vit e dhjetë muaj burgim dhe 600 euro gjobë është dënimi që Gjykata në Gjakovë i shqiptoi Sadri Kurmekajt nga Tropoja, i cili me banim është në fshatin Zhub të Gjakovës.

Shaqir Zika, kryetar i trupit gjykues, tha se të akuzuarit për shitblerje të narkotikëve në dënim do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.

“Gjykata për veprën penale blerja, posedimi dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve të rrezikshëm të akuzuarit i shqipton dënim me burgim në kohëzgjatje prej 1 viti e 10 muaj në të cilin dënim do t’i llogaritet koha e kaluar në paraburgim nga data 04.01.2017 si dhe dënimin me gjobë prej 600 euro”, lexoi aktgjykimin gjykatësi Zika.

Sipas aktgjykimit, nëse dënimi me gjobë nuk do të paguhet ai do të zëvendësohet me burgim në kohëzgjatje prej 30 ditësh.

Pas shqiptimit të dënimit, kryetari I trupit gjykues theksoi se dënimi është bazuar në marrëveshjen që ka arritur i akuzuari me Prokurorinë për pranimin e fajësisë.

Në aktakuzë tregohet se si i akuzuari kishte fshehur në vende të ndryshme sasi të ndryshme të drogës.

Aty thuhet se gjatë bastisjes drogë është gjetur nën ballkonin e shtëpisë, pas disa shtyllave druri, në një stallë të hapur mbi një rimorkio të veturës, jashtë rrethojës së shtëpisë, afër një pylli, në disa shkurre, në ferra e hithra.

Sasia e përgjithshme e drogës së gjetur është 11 kilogramë e 903 gramë.