Fation Shota para gjykatës (Arkiv)

Rigjykimi për drogën nga Tropoja, të akuzuarit nuk vijnë në gjykatë

Fation Shota nga Shqipëria e Astrit Ibishi nga Fushë Kosova, të akuzuar se në bashkëkryerje për blerje, shitje dhe shpërndarje të narkotikëve, nuk ishin prezentë në seancën e tyre të rigjykimit.

Shota akuzohej edhe për veprën penale të kalimit ilegal të kufirit.

Seanca e sotme u shty për 25 gusht.

Dy të rinjtë, njëri nga Shqipëria e tjetri nga Kosova, paraprakisht ishin dënuar me burg e gjobë.

Fation Shota për dy veprat penale u dënua me dënim unik prej 8 muaj burgim dhe 550 euro gjobë.

Ndërsa Astrit Ibishi u dënua me burgim prej 7 muaj dhe 300 euro gjobë.

Edhe prokuroria, edhe mbrojtja e të akuzuarve kishin bërë ankesë në Gjykatën e Apelit kundër këtij vendimi të gjykatës së Gjakovës, ndërsa gjykata e Apelit e kishte kthyer rastin në rigjykim për shkak të shkeljeve të dispozitave të procedurës penale.

Sipas Apelit, për veprën penale për blerje e shitje të narkotikëve, gjykata e shkallës së parë u ka shqiptuar dënimet të akuzuarve nën minimumin e përcaktuar me ligj.

Sipas aktakuzës, Fation Shota dhe Astrit Ibishi në kufirin Qaf-Morinë kishin importuar marihuanë në peshë prej 1.5 gram.

Pastaj me taksi kishin shkuar në qytetin e Tropojës, ku Fation Shota kishte lënë takim me një vajzë nga Lushnja dhe marihuanën e kishte vendos në trup.

Aktakuza shpjegon se më pas dy të akuzuarit kishin shkuar në kufirin Qaf-Morinë dhe Fation Shota në mënyrë ilegale kishte kaluar ta kalojë kufirin, por ishte arrestuar nga zyrtarët policorë. Në atë rast, nga ekzaminimi laboratorik është konstatuar kanabis marihuanë ne peshë prej 1.61 gram.

Si vazhdim i kësaj, aktakuza thotë se Fation Shota duke anashkaluar vendkalimin e autorizuar kufitar të Kosovës me Shqipërinë, në mënyrë ilegale përmes rrugëve malore ka hyrë në territorin e Kosovës dhe i njëjti është arrestuar.

Këto veprime kishin ndodhur më 26 dhjetor të vitit 2018.