Ziadin Sela, Aleanca për Shqiptarët, Strugë. Foto: Atdhe Mulla

Ziadin Sela: Në Strugë Nuk ka më Pashallëk

Kandidati i Aleancës për Shqiptarët për kryetar të komunës së Strugës, Ziadin Sela, premtoi se do t’i vazhdojë punët që tha se i ka bërë gjatë mandatit të kaluar.

“Struga ka qenë e ngufatur me uzurpime të hapësirave publike. Do të vazhdojmë t’i lirojmë këto hapësira për qytetarët”, tha Sela në Debat Pernime për Strugën të moderuar nga Jeta Xharra.

“Do të vazhdojmë ta zgjidhim problemin e parkingut në mënyrë emergjente. Ka pasur një kaos edhe si pasojë e mospunës së policisë për ta bërë punën e tyre”, shtoi ai.

“Komuna e Strugës këto vite është shpronësuar. Nuk ka as pronar as pashallëk”, tha Sela

Duke lavdëruar punën gjatë mandatit të tij, Sela tha se në Strugë, gjatë mandatit të kaluar “është ndërtuar sa nuk është ndërtuar për 20 vjet”.

“Do të vazhdojmë ta kultivojmë një arsimim të papolitizuar siç e kemi bërë. Kemi gjetur të gjitha shkollat me xhirollogari të bllokuara”, tha Sela.

“Do të punojmë që gjatë gjithë vitit Struga të ketë turizmi”, shtoi ai.

Duke qenë se deponia e mbeturinave mbetet shqetësim për banorët e komunës, Sela tha se do ta zgjidhë këtë problem “shumë shpejt”.

Debatet do të transmetohen në TV ART CHANNEL nga sot deri më 7 tetor.

Në kuadër të këtyre debateve, shikuesit do të njihen me ofertën politike të kandidatëve për komunat Çair, Saraj, Tetovë, Strugë, Gostivar, Dibër dhe Kërçovë.

Qytetarët mund të dërgojnë pyetje për kandidatët përmes platformës online në KALLXO.com, aplikacionit mobil të KALLXO.com si dhe në Facebook të KALLXO.com.

Debatet organizohen në partneritet të KALLXO.com me PortalbVërtetëmatës/VistinomerArt Channel dhe BIRN Maqedonia.