Sela mohon të ketë gisht në zgjedhjen e familjarit të tij si sekretar partie

Kryetari i partisë Aleanca për Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, Ziadin Sela, ka dhënë sqarime për pozitën e familjarit të tij brenda strukturave të kësaj partie.

Ai në emisionin “Kallxo Përnime” ka thënë se Krenar Lloga, djali i djalit të dajës së tij është pjesë e partisë që nga themelimi i saj.

“Është ndër themeluesit e Aleancës bashkë me mua dhe të tjerët, ai ka karrierën e tij politike dhe unë s’kam pse i bëhem pengesë Krenarit që edhe ai të bëj politikë dhe të ndërtojë karrierën e tij” – sqaroi Sela.

Tutje ai ka thënë se e vërteta rreth ‘nepotizmit’ është ndryshe. Sela ka deklaruar se Krenar Lloga nuk ka pasur asnjë rol udhëheqës në parti sa ai ka qenë kryetar i partisë. Më tej, Sela ka shtuar se Arben Taravari e kishte propozuar Krenarin të jetë sekretar partie pasi ishte zgjedhur kryetar i partisë.

“Krenari nuk ka pasur ndonjë rol udhëheqës në parti për sa kohë që unë kam qenë kryetar partie. Mbasi Arben Taravari zgjidhet kryetar ai vjen dhe ma thotë mu që e ka ndërmend ta zgjedh Krenarin Sekretar të Përgjithshëm. I kam thënë Krenari nuk është kalama, s’ke pse më pyt mu, urno shko pyte Krenarin. Pastaj Krenari më thotë se çfarë i kishte thënë Arbeni, thash është e drejta jote të zgjedhësh, normal unë s’të bëhem pengesë dhe kjo pra ka qenë biseda” – deklaroi Sela.

Ai ka shtuar se as për propozimin e ministrave nuk ka folur me Arben Taravarin.

“Nëse ka ndonjë gjë le ta thotë publikisht, por e vërteta është kjo pra as s’jam përzier për ministër të Shëndetësisë as asgjë. As nuk e kam propozuar Krenar për Sekretar të Përgjithshëm as për ministër. Djali i njeh rrethanat politike është i zoti në poltikë, s’kam pse të flas unë për këtë gjë. Keni pasur rastin që ta keni edhe në paraqitje publike dhe ta dëgjojë opinioni dhe ka sens për politikë dhe sukseset dhe mossukseset e tij ai i ndërton vet” –  përfundoi Sela.

Më 18.02.2024, Aleanca për Shqiptarët mbajti kongresin e jashtëzakonshëm të thirrur nga Ziadin Sela.

Me 591 vota është shkarkuar Arben Taravari nga pozita e kryetarit të ASH-së, pasi vendosi ta vazhdonte rrugën e tij me opozitën shqiptare. Ziadin Sela, si kandidat i vetëm e rimori drejtimin e partisë.

Kjo mbledhje erdhi si reagim ndaj zhvillimeve brenda partisë, pas kongresit të organizuar nga Taravari, në të cilin ai u konfirmua si kandidat i opozitës për president të Maqedonisë së Veriut.

Megjithëkëtë, Sela është në gjyq për legjitimimin e pozitës së tij si kryetar partie.

“Unë nuk e shifsha të nevojshme që të jemi në gjyq (me Arben Taravarin), lidhur me atë vendin që e solli kongresi i partisë, por ish-kryetari i partisë, z. Taravari e bojkotoi edhe Kuvendin Qendror, nuk ishte aty edhe në Kongresin e partisë që ishte i ftuar dhe nuk ishte aty” – tha Sela.

Sela ka sqaruar se deri në muajin prill 2024, Gjykata Themelore e Tetovës në Maqedoninë e Veriut do të vendos se kush është kryetar legjitim i partisë, Aleanca për Shqiptarët.

“Gjykata Themelore duhet të marr një vendim, lidhur me atë se kush është kryetar legal i ASH-së” – ka thënë tutje Sela.