Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Quni: Është anti-humane të fajësohet LDK për gjendjen e trashëgimisë kulturore në Prizren

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të komunës së Prizrenit, Anton Quni, ka thënë se është anti-humane të fajësohet Lidhja Demokratike për situatën e trashëgimisë kulturore në Prizren.

“Haskuka po flet për qeverisje të LDK-së në kohën kur nuk kanë pasur njerëzit kulm mbi kokë. Është me të vërtetë anti-humane. Tash ka mekanizma, ka objekte, ka fonde është dështim”, është shprehur Quni.

Në anën tjetër Haskuka ka thënë se asnjë monument nuk është dëmtuar në qeverisjen e Vetëvendosjes.

“Asnjë objekt i trashëgimisë kulturore nuk është dëmtuar gjatë qeverisjes tonë në Qendrën Historike të Prizrenit”, ka replikuar Haskuka.

Kandidatët e partive politike, të cilët synojnë karrigen e të parit të Prizrenit diskutojnë në #DebatPernime për planet e tyre pas zgjedhjeve të 17 tetorit.

Të ftuar në KallxoPernime janë kandidatët për kryetar të komunës së Prizrenit: Afrim Tejeci nga AKR; Anton Quni nga LDK; Milazim Lushaj, kandidat i pavarur; Mytaher Haskuka nga LVV; Shaqir Totaj nga PDK dhe Zafir Berisha nga Nisma Socialdemokrate.

Përballë kandidatëve për kryetar të komunës do të jenë edhe shtatë kandidate për asambliste në Kuvendin Komunal të Prizrenit: Afërdita Morina nga LDK; Afërdita Spahiu nga AKR; Dafina Bllaca nga PDK; Lirije Bytyqi nga Nisma Socialdemokrate; Mimoza Bushrani nga LVV; Ngadhjesa Bresa nga Lista GUXO dhe Shqipe Kastrati nga AAK.

Debati transmetohet në orën 20:30 në RTV Dukagjini dhe drejtpërdrejt në Facebook të KALLXO.com.