Planet e kandidatëve të Hanit të Elezit për digjitalizimin e shërbimeve komunale

Kandidatët për kryetar të komunës së Hani Elezit në Debat Pernime kanë treguar se si planifikojnë të bëjnë digjitalizimin e shërbimeve komunale.

Mehmet Ballazhi nga Partia Demokratike e Kosovës ka thënë se digjitalizimin e shërbimeve komunale do ta bëjnë brenda mandatit 4 vjeçar.

“Natyrisht që e kemi paraparë që shërbimet online do të jenë brenda mandatit 4 vjeçar. Ne kemi kërkuar disa herë për transmetimin e mbledhjeve komunale online, por kryetari asnjëherë se ka bërë këtë ose thënë më shkurt nuk e ka respektuar asnjëherë vendimin e kuvendit të paraprak”, tha Ballazhi.

Rufki Suma, kandidat i pavarur për kryetar ka thënë se planifikojnë vendosjen e një e-kiosk në afërsi të pikës kufitare për të gjithë qytetarët e jo vetëm të Hani Elezit.

Për vitin tjetër kemi planifikuar edhe vendosjen e një e-kioski që do t’u shërbejë qytetarëve të hani të Elezit. Kjo jo vetëm për qytetarët e komunës sonë por edhe për qytetarët që e kalojnë pikën kufitare”, ka thënë Suma.

Sherif Berisha nga Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se do ta bëjnë digjitalizimin e shërbimeve komunale në kohë shumë të shkurtë.

“Me ardhjen time si kryetar komune dhe besoj që në një afat të shkurt me ekspertët e mi do ta shohim”, ka thënë Berisha.

Kandidatët e partive politike, të cilët synojnë të marrin udhëheqjen e Hanit të Elezit diskutojnë në #DebatPernime për planet e tyre pas zgjedhjeve të 17 tetorit.

Të ftuar në DebatPernime janë kandidatët për kryetar të komunës së Hanit të Elezit: Mehmet Ballazhi nga Partia Demokratike e Kosovës, Rufki Suma, kandidat i Pavarur dhe Sherif Berisha nga Lëvizja Vetëvendosje.

Përballë kandidatëve për kryetar të komunës do të jenë edhe kandidatet për asambliste në Kuvendin Komunal të Hanit të Elezit: Natyra Kalisi nga LVV, Nora Xhoni nga AAK dhe Sara Berisha nga PDK.

Ky artikull hulumtues është përgatitur si pjesë e projektit “Rritja e Pjesëmarrjes së Qytetarëve në Agjendën Digjitale – ICEDA” me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian. Përmbajtja e këtij artikulli hulumtues është përgjegjësi e vetme e Open Data Kosovo dhe e autorit dhe në asnjë mënyrë nuk i pasqyrojnë qëndrimet e Bashkimit Evropian.