Afrim Hotit s’i ndihmoi as aderimi në AAK për t'u bërë deputet

Profesori universitar, Afrim Hoti i cili para zgjedhjeve të 6 tetorit, aderoi nga PDK-ja e Kadri Veselit në AAK-në e Ramush Haradinajt, nuk ka arritur që të bëhet deputet i legjislaturës së ardhshme.

Sipas rezultateve përfundimtare të shpallura nga KQZ-ja, Hoti ka arritur t’i sigurojë vetëm 4,167 vota.

Pas këtij rezultati, ai ka uruar që qytetarët të kenë bërë zgjedhjen e duhur.

“Gjithsesi, falënderime të pafundme për 4,167 votuesit e mi që patën dhe deklaruan besimin përmes votës për konceptin tim për qeverisjen e ardhshme. Patjetër, falënderoj edhe ata që patën dilema. Uroj të kenë bërë zgjedhjen e duhur. E rëndësishme, vendi të ecën para. Unë do vazhdoj punën time, që aq sa mundem dhe di, të jam në shërbim të vendit tim”, ka shkruar Hoti në profilin e tij në Facebook.

Afrim Hoti fillimisht ishte bërë pjesë e PDK-së në vitin 2017.

“Eksperti i së drejtës ndërkombëtare, Prof. Dr. Afrim Hoti, është anëtari më i ri i Partisë Demokratike të Kosovës. I urojmë mirëseardhje në ekipin fitues “Fillimi i Ri”, platformës së duhur për fuqizimin e Kosovës”, kishte njoftuar në Facebook kryetari i PDK-së, Kadri Veselit për aderimin e Hotit.

Ndërkaq, në gusht Hoti i ishte bashkuar AAK-së.

Edhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj pati njoftuar përmes Facebook-ut për aderimin e Hotit, në partinë e tij.

“Njëri nga ekspertët e të Drejtës Ndërkombëtare, ligjërues në Departamentin e Shkencave Politike në Universitetin Publik të Prishtinës, Prof. Dr. Afrim Hoti, nga sot iu bashkohet radhëve të Aleancës”, thuhet në publikimin e tij.

KQZ dje  ka shpallur rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve nacionale të këtij viti.

Nga kjo garë elektorale, Lëvizja Vetëvendosje ka dalur partia e parë, me 220 mijë e 811 vota ose 26.159% apo 32 deputetë; LDK më 6 tetor grumbulloi 205 mijë 458 vota apo 24.458% me 29 deputetë.

Partia e tretë ka dalë PDK me 178 mijë e 645 vota apo 21.163% apo 25 deputetë, kurse koalicioni AAK-PSD ka marr 96 mijë e 883 vota apo 11.477% apo 14 deputetë.

Sipas të dhënave të KQZ-së, Nisma-AKR-PD nuk u bë pjesë e Kuvendit, pasi ka marrë 42 mijë  e 72 vota apo 4,984 për qind, përderisa për ta kaluar pragun nevojiten 5 përqind e votave.

Kurse, Lista Serbe ka marr 10 deputetë apo 57 mijë e 15 vota apo 6.754%.