100 familje nga Deçani i bashkohen partisë së Fatmir Limajt

Partisë Nisma Socialdemokrate gjatë ditës së sotme i janë bashkuar 100 familje nga komuna e Deçanit.

Kështu ka bërë të ditur partia e Fatmir Limajt përmes një njoftimi në faqen zyrtare në Facebook.

“Në takimin e organizuar me rastin e aderimit të 100 familjeve nga Deçani, mori pjesë kryetari i Këshillit Kombëtar, Jakup Krasniqi bashkë me ministrin Skender Reçica, kryetarin e degës Shkodran Imeraj dhe kampionin e shumëfishtë të botës në Kik-Boks, që dje i është bashkuar Nismës, Azem Maksutaj”, thuhet në njoftim.

Mirëseardhje anëtarëve të rinj u ka uruar kryetari i Këshillit Kombëtar, Jakup Krasniqi duke shtuar se partitë socialdemokrate janë ato që kanë bërë progres në shtetet e botës, e që sot të njëjtat janë shtete të së drejtës.

“Ne bashkë edhe me bashkëkombësit tanë që jetojnë dhe punojnë në botën e perëndimit, po e sjellim frymën e socialdemokracisë për ta përshpejtuar ndërtimin e shtetit të së drejtës”, thuhet tutje në njoftim.

Zgjedhjet në Kosovë pritet të mbahen më 6 tetor për ulëset në kuvend do të garojnë 20 parti, 4 koalicione dhe 1 kandidat i pavarur. Nisma Socialdemokrate ka koalicion me Aleancën Kosova e Re (AKR) si dhe Partinë e Drejtësisë, ndërsa kandidat për kryeministër kanë Famir Limajn.