Kadri Veseli, kryetar i Kuvendit - 23.11.2018

Veseli thotë se Rusia po shkon drejt njohjes së Kosovës

Në mbledhjen e parë të Kryesisë së Kuvendit të Kosovës për sesionin pranveror, shefat e grupeve parlamentare përveç që u deklaruan për seancën e ardhshme, ata komentuan edhe vizitën e djeshme të presidentit rus, Vladmir Putin në Beograd.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli lidhur me këtë rast tha se Rusia po shkon drejt njohjes së Kosovës.

“Ne jemi me Amerikën dhe perëndimorët, fqinji ynë në pjesën veriore po pretendon me dalë mirë me partnerët tanë, por po ia hap dyert Rusisë. Sido që të jetë në vizitën e Putinit në Serbi pas takimit me Thaçin, vini vëmendje këtij fakti janë të njëjtat mesazhe, të cilat ia ka thënë presidentit tonë, po ato janë thënë edhe në Serbi dhe do të thotë që Rusia është duke shkuar drejt njohjes së Republikës së Kosovës”, tha Veseli duke shtuar se Kosova këtë vit do të jetë anëtare e OKB-së.

Kurse, shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti tha se Serbia e ka orientimin drejt Rusisë dhe kjo sipas tij nuk është për t’u çuditur.

“Sjelljet e presidentit serb nuk janë për çudi, sepse orientimin e kanë më shumë kah lindja sesa nga perëndimi. Ne vazhdimisht i ftojmë partnerët tanë ndërkombëtarë që ta orientojnë Serbinë drejt tyre në mënyrë që të zgjidhen përfundimisht problemet në Ballkan”, tha Hoti.

Ndërsa, shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Dardan Sejdiu tha se nuk janë të rëndësishme për Kosovën deklaratat e Rusisë dhe Serbisë.

“Për mua janë të rëndësishme deklaratat e qeveritarëve të Kosovës, instutiticioneve tona  dhe delegacionit tonë shtetërore, çfarë deklaron Vuçiqi e njohim që nga viti 2010. Është e rëndësishme që ne të kemi unitet përballë kujtdo që e cenon këtë republikë dhe është detyrë e jona si deputetë”, tha Sejdiu.

Ndryshe, gjatë ditës së djeshme presidenti i Rusisë, Vladmir Putin është pritur në Beograd nga homologu i tij serb, Aleksandar Vuçiq.

Putin aty dha një mesazh që Rusia pajtohet që Prishtina dhe Beogradi duhet të arrijnë një marrëveshje.

“Rusia pajtohet që Beogradi dhe Prishtina të arrijnë një marrëveshje të pranueshme reciproke në përputhje me rezolutën 1244”, ka thënë Putin.

 

https://kallxo.com/putin-mbeshtesim-arritjen-e-nje-marreveshje-prishtine-beograd/

 

Kurse, presidenti serb, Aleksandër Vuçiq tha se për çdo zgjidhje do të konsultohet me Putinin.

“Serbia është gjithmonë e gatshme për negociata dhe kompromis, por nuk pajtohet me poshtërimin”, ka thënë Vuçiq gjatë këtij takimi.

Ai po ashtu ia dhuroi atij një qen të Sharrit, i cili rritet në malet e Sharrit të Kosovës.

Megjithatë, presidenti rus e quajti të rrezikshme formimin e Ushtrisë së Kosovës, duke thënë se do ta destabilazojë rajonin.

 

https://kallxo.com/putin-akuzon-kosoven-per-rritje-te-tensioneve-me-formimin-e-ushtrise/

 

Në lidhje me takimin e këtyre dy krerëve, BIRN në Beograd kishte bërë thirrje nga Putini që të lirojë gazetarët e burgosur në Rusi.

 

https://kallxo.com/birn-kerkon-nga-putini-qe-te-liroje-gazetaret-e-burgosur/

 

Po ashtu në nëntorin e vitit që e lamë pas, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi kishte takuar presidentin rus, Vladmir Putin në Francë, ku Thaçi kishte deklaruar se Rusia mbështet marrëveshjen Kosovë – Serbi.

 

https://kallxo.com/thaci-takon-putinin-rusia-mbeshtet-marreveshjen-kosove-serbi/

.