Spitali i Ferizajt, Foto:Gentiana Ahmeti, KALLXO.com

Vrasja e 18 vjeçares në Ferizaj, reagon presidentja Osmani

Presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani ka reaguar në lidhje me ngjarjen e fundit ne qytetin e Ferizajt, ku një 18 vjeçare mbeti e vrarë në rrethana të dyshimta.

Presidentja Osmani ka kërkuara nga institucionet që të punojë deri sa kryerësit e këtij akti të marrin dënimin.

‘’Si presidente e vendit i bëjë thirrje secilit qytetar që të bashkëpunojë me organet e rendit dhe ligjit në gjetjen e vrasësit të viktimës nga Ferizaj. U bëjë thirrje të gjitha institucioneve përgjegjëse që të punojnë fort dhe pandërprerë derisa kryesit e veprave të tilla të gjenden prapa grilave’’ ka thënë Osmani

Ajo ka shtuar se dhuna ndaj vajzave dhe grave kërcënon paqen për të gjithë.

‘’Dhuna ndaj vajzave e grave kërcënon paqen për të gjithë dhe mirëqenien e përgjithshme, por shoqëria jonë duhet të jetë e palëkundur dhe e vendosur në eliminimin e të gjitha formave të diskriminimit e dhunës ndaj vajzave e grave’’ thotë Osmani

Presidentja e Vendit u ka shprehur ngushëllime familjarëve, shoqërisë, miqve të vajzës së ndjerë dhe ka thënë se shpirti i saj do të përfundojë në paqe kur do të këtë drejtësi

‘’ Familjarëve, miqve dhe gjithë shoqërisë së vajzës së ndjerë u shprehu ngushëllime të sinqerta! Shpirti i saj do të pushojë në paqe atëherë kur të ketë drejtësi. Drejtësinë ua kemi borxh secilës vajze e gruaje që përjetoi dhunën nga ata që po marrin jetë e po i ikin përgjegjësisë’’, është shprehur Osmani.

Gjatë ditës së djeshme një vajzë 18 vjeçare ishte dërguar pa shenja jetë në emergjencën e spitalit të Ferizajt.

Policia e Kosovës kishte njoftuar se ajo ishte dërguar në spitalin nga dy persona, të cilët u identifikuan pas disa orësh.

Njëri nga të dyshuarit është arrestuar, ndërsa i dyshuari tjetër ende është në arrati.

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Ferizajt, Shukri Jashar tha sot përmes një konference për media se shumë shpejt pritet arrestimi i të dyshuarit të dytë në lidhje me vrasjen e vajzës 18 vjeçare në Ferizaj.

Vrasja e 18-vjeçares, Kryeprokurori: Shumë shpejtë pritet arrestimi i të dyshuarit të dytë