Foto: Presidenca e Kosovës

Osmani takon emisarin Sarrazin, kërkon vazhdimin e mbështetjes së Gjermanisë për Kosovën

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim të dërguarin e posaçëm të Republikës Federale të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin.

Në takimin e mbajtur më 28.05.2024, është biseduar për zhvillimet e fundit politike dhe të sigurisë në vend dhe rajon, njofton Presidenca.

Siç thuhet në komunikatë, Osmani ka theksuar përkushtimin e Kosovës në procesin e integrimit evropian, duke shprehur mirënjohjen për mbështetjen e Gjermanisë. 

Presidentja Osmani ka shtruar nevojën për vazhdimin e mbështetjes gjermane për forcimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës si dhe përmbushjen e aspiratave për anëtarësim në Këshillin e Europës, NATO, BE dhe organizata të tjera ndërkombëtare.

Ajo ka rikonfirmuar mbështetjen e plotë për Procesin e Berlinit dhe marrëveshjet e dala nga ky proces. 

Më 27.04.2024, Asambleja Parlamentare e NATO-s e ka miratuar rekomandimin për avancimin e statusit të Kosovës nga anëtare vëzhguese në anëtare të asociuar.

Pro këtij vendimi kanë votuar shumica e vendeve anëtare, një ka qenë kundër dhe 14 kanë abstenuar.

Anëtarët e asociuar, në këtë rast edhe Kosova, mund të paraqesin dhe të kërkojnë ndryshime në rezolutat e AP të NATO-s.

Veç kësaj, shtetet me këtë status, mund të shërbejnë si raportues specialë të asociuar në komitete, për të paraqitur perspektivat e tyre në raportet NATO-Asamble Parlamentare.

Mirëpo, Kosova nuk ka arritur të futet në agjendën e Ministrave të Jashtëm të shteteve anëtare të Këshillit të Evropës (KiE), më 17.05.2024.

Nga disa shtete, Kosovës i është kërkuar dorëzimi i projektstatutit për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Gjykatë Kushtetuese si hap për të fituar mbështetjen e shumicës së përfaqësuesve të shteteve anëtare të KiE-së për anëtarësim në këtë organizatë.

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla- Schwarz, më 16.05.2024, i ka dërguar letër Presidentit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, për siç ka thënë ajo, zotimin për përgatitjen e një drafti që parasheh “krijimin e një mekanizmi për vetmenaxhim”.

Ky draft, siç ka thënë Gërvalla, do të dërgohej për interpretim në Gjykatën Kushtetuese deri në fund të muajit maj.

Por, pas mbetjes së Kosovë jashtë agjendës në mbledhjen e ministrave të Jashtëm, Gërvalla ka shkruar se edhe letra s’ka më relevancë.