Vrasja e 18-vjeçares, Kryeprokurori: Shumë shpejtë pritet arrestimi i të dyshuarit të dytë

Shukri Jashari, Kryeprokueror i Prokurorisë Themelore të Ferizajt ka premtuar se shumë shpejtë do të arrestohet personi me inicialet D.K i dyshuar i dytë për përfshirë në vrasjen e djeshme të vajzës 18 vjeçare në Ferizaj, duke shtuar se për këtë po ndërmerren të gjitha masat e nevojshme.

Në një konferencë të jashtëzakonshme për media të hënën, Jashari tha se janë në koordinim të plotë edhe me Zyrën e Kryeprokurorit dhe me forcat e rendit.

“Ju njoftojmë që pasi kemi marrë informacionin dje, diku pas orës 15:00, Prokuroria në Ferizaj, ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të zbuluar rastin e dyshimit për vraje të rëndë, tani të ndjerës me iniciale M.O dhe deri më tani, kemi të arrestuar një person të involvuar në këtë çështje si dhe jemi në kërkim të personit tjetër i cili është i përfshirë në këtë rast penal”, tha ai para gazetarëve.

Jashari ka thënë se e sigurojnë familjen e viktimës dhe të gjithë qytetarët se të dyshuarit do të dalin para drejtësisë.

“Ju njoftojmë se jemi në koordinim me Zyrën e Kryeprokurorimit të Shtetit dhe Policinë e Kosovës dhe kemi ndërmarrë të gjitha veprimet për arrestimin e të dyshuarit të dytë me iniciale D.K. kemi prova të mjaftueshme për të dyshuarit në këtë vrasje. I sigurojmë, familjen e viktimës dhe të gjithë qytetarët që Prokurori i Shtetit është duke e trajtuar rastin me seriozitetin më të lartë që të involvuarit të dalin para drejtësisë”, tha ai.

Jashari tha se ende nuk dihet shkaktari i vdekjes së 18-vejçares.

“Sepse ende nuk është bërë autopsia dhe ende nuk e kemi pranuar raportin e autopsisë për të caktuar shkaktarin e vdekjes”, tha ai.

Ndërsa, ka dhënë detaje mbi veprat që ngarkohen dy personat e dyshuar si të përfshirë në rastin e vdekjes së 18-vjeçarës nga Ferizaj.

“Sa i përket personit me inicialet D.K. ky person është i njohur për Policinë e Kosovës, gjithashtu edhe për Prokurorinë, i cili ka një numër të madh të rasteve, por të gjitha rastet janë të mbyllura. Ka qenë i dyshuar për vrasje, për raste të natyrave të ndryshme penale”, deklaroi ai.

“Sa i përket, personit të dytë me inicialet A.S. është ngritë një aktakuzë qysh në vitin 2013 për tentim vrasje dhe ende nuk është mbajtur shqyrtimi kryesor, çështja është caktuar që të jetë më 23 shtator të këtij viti”, u shpreh Jashari.