Gjykimi ndaj Krist Gjokes ish komandantit të Stacionit Policor në Gjakovë

Tre dëshmitarë në gjykimin ndaj ish Komandantit të Stacionit Policor në Gjakovë

Tre dëshmitarë dëgjohen në gjykimin ndaj ish Komandantit të akuzuar të Stacionit Policor në Gjakovë

Kristë Gjokaj, major në Policinë e Gjakovës, Bekim Preqi kapiten policor, si dhe zyrtarët policor Gëzim Biblekaj, Agron Idrizi, Milot Ukaj dhe Shaban Limanaj, kanë dalë edhe sot para gjykatësit në Gjilan për t’u përballur me akuzën e Prokurorisë e cila i ngarkon ata se kanë kryer veprat penale keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare dhe keqpërdorimi i detyrës zyrtare.

Në seancën e sotme, janë marr në pyetje tre dëshmitarë, dy zyrtarë policor dhe një hetues i Inspektoratit Policor të Kosovës.

Dëshmitari i parë Argjend Qehaja, deklaroi se natën kur ka ndodhur ngjarja nuk e di saktë nëse personi ka pasur lëndime, pasi tha se ai ishte larguar dy-tri herë nga zyra për t’i ofruar ujë të arrestuarit. I njëjti më vonë tha se sa i kujtohej, i arrestuari ka pasur lëndime në fytyrë.

Dëshmitari tjetër Rasim Dushi, tha se tek i dyshuari përpos lëndimit që e kishte pasur në dorë për shkak të aksidentit, lëndime tjera nuk i ka vërejtur.

Dëshmitari i tretë, Gëzim Nasufi i cili është hetues i IPK-së, deklaroi se ka filluar me hetimin e këtij rasti me datën 14.12.2018.

“Nuk mund ta japë burimin e informacionit lidhur me identifikimin e të akuzuarve që shihen në video incizime, kam vepruar në bazë të autorizimeve që m’i lejon ligji”, tha hetuesi Nasufi.

Hetuesi i IPK-së, tutje tha se bazuar në video incizimet ka ardhur në përfundim se ka pasur kontakt fizik mes personave të akuzuar prezent në shqyrtim, përpos të akuzuarit Shaban Limanaj.

Sipas aktakuzës Kristë Gjokaj, Bekim Preqi, Gëzim Biblekaj, Agron Idrizi e Milot Ukaj po akuzohen për keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare, ndërsa Shaban Limanaj, po akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Tutje sipas aktit akuzues, komandanti Kristë Gjokaj, dyshohet se derisa i dyshuari për grabitje dhe sulm ndaj Policisë, Muhamer Raifi, kishte qenë i arrestuar dhe i prangosur, Gjokaj e kishte goditur me grusht në fytyrë.

Tutje sipas Prokurorisë, Shaban Limanaj akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare, pasi që si përgjegjës i qendrës u kishte mundësuar policëve të lartcekur të hyjnë në qelinë ku ndodhej Muhamer Raifi dhe të njëjtin ta keqtrajtojnë fizikisht.

Pas përfundimit të orarit të punës shqyrtimi gjyqësor do të vazhdon me datat 16 dhe 19 mars.

Kallxo.com ka raportuar edhe më parë për këtë rast: https://kallxo.com/ligji/ish-komandanti-i-akuzuar-i-policise-se-gjakoves-ballafaqohet-me-rrefimet-e-deshmitareve-ne-gjykate/