Ish-Komandanti i akuzuar i Policisë së Gjakovës ballafaqohet me rrëfimet e dëshmitarëve në Gjykatë

Kristë Gjokaj, major në Policinë e Gjakovës, Bekim Preqi kapiten, si dhe zyrtarët policor, Gëzim Biblekaj, Agron Idrizi, Milot Ukaj dhe Shaban Limanaj, kanë dalur sot para gjykatësit në Gjilan për t`u përballur me aktakuzën se kanë kryer veprat penale keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare dhe keqpërdorimi i detyrës zyrtare.

Në seancën e së enjtes, janë marr në pyetje katër dëshmitarë, të gjithë zyrtarë policor.

Dëshmitari i parë Riza Shala, deklaroi se natën kur ka ndodhur ngjarja ka qenë në detyrë në njësitin e trafikut në Gjakovë së bashku me kolegun e tij.

“Përmes radio lidhjes kemi marrë mesazh për asistim pasi kemi dëgjuar se është duke u kryer një vjedhje dhe gjatë rrugës për në vendin e ngjarjes, jemi njoftuar se është arrestuar një i dyshuar. Në momentin kur kemi arritur në stacionin e policisë, të dyshuarin e kemi kapur për krahu dhe e kemi dërguar në korridorin e stacionit. Nuk e kam vërejtur se i dyshuari ka qenë i lënduar”, tha dëshmitari Shala.

Dëshmitari i dytë Esat Deva, deklaroi se natën kritike ka qenë në kryerjen e detyrës zyrtare së bashku me kolegët Gazmir Laski, dhe Hysni Morina, në planin operativ kundër veprave penale të grabitjes dhe vjedhjes. Lidhur me rastin, tha se personi i dyshuar Muhamer Raifi, natën kritike ka pasur lëndime në kokë, gjegjësisht në pjesën e përparme të fytyrës.

Tutje, dëshmitari i tretë Gazmir Laski, deklaroi se i dyshuarin Muhamer Raifi, ka qenë i lënduar në pjesën e përparme të fytyrës me gjakderdhje në anën e majtë. Ai tutje shtoi se nuk ka vërejtur policë tjerë afër zyrës së radiolidhjes në stacionin policor në Gjakovë.

Ndërsa, dëshmitari i katërt Hysni Morina, deklaroi se në kohën kur ka ndodhur ngjarja ka qenë duke punuar në njësitin e hetimeve.

“Në momentin kur është arrestuar i dyshuari, i njëjti ka qenë i lënduar në fytyrë, në anën e majtë në ballë, ndërsa lëndime tjera shtesë në stacionin policor nuk kam parë”, tha në fund dëshmitari Morina.

Për shkak të përfundimit të orarit të punës, seanca do të vazhdojë edhe të premten.

Sipas aktakuzës Kristë Gjokaj bashkë me Bekim Preqin, Gëzim Biblekajn, Agron Idrizin e Milot Ukajn, po akuzohen për keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare, ndërsa Shaban Limanaj, po akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Sipas aktakuzës komandanti Kristë Gjokaj, dyshohet se derisa i dyshuari për grabitje dhe sulm ndaj Policisë, Muhamer Raifi, kishte qenë i arrestuar dhe i prangosur, Gjokaj e kishte goditur me grusht në fytyrë.

Tutje sipas aktit akuzues Shaban Limanaj akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare, pasi që si përgjegjës i qendrës iu kishte mundësuar policëve të lartcekur të hyjnë në qelinë ku ndodhej Muhamer Raifi dhe të njëjtin ta keqtrajtojnë fizikisht.

Kallxo.com ka raportuar edhe më parë për këtë rast

Kristë Gjokaj dhe 5 policët e akuzuar do të gjykohen në Gjakovë