Foto: Facebook/ Manifesta 14.

‘The Economist’ shkruan për ‘Manifestën 14’ – Prishtina, vendi i parë në Ballkan që organizon këtë ngjarje

Gazeta prestigjioze “The Economist” i ka kushtuar një hapësirë të veçantë Bienales nomade “Manifesta 14”, nikoqir i së cilës sivjet është kryeqyteti kosovar, Prishtina.

“Manifesta 14 rigjallëron hapësirat e lënë pas dore në kryeqytetin e Kosovës”, është titulli i artikullit të publikuar nga gazeta “The Economist” që i kushtohet këtij organizimi.

“Përveç përmbushjes së Prishtinës me art, bienalja nomade po përpiqet ta ndihmojë qytetin nikoqir edhe në planin afatgjatë”, shkruan “The Economist” duke prezantuar një bashkëbisedim me artistin nga Kosova, Petrit Halilajn si një prej organizatorëve të kësaj Bienaleje.

Kjo gazetë në artikullin e saj ka publikuar edhe mesazhin e vendosur mbi “Hotel Grand” të vendosur nga artisti Petrit Halilaj, “Kur dielli të ikë, do ta pikturojmë qiellin”, ku janë pozicionuar 27 yje të ndriçuar.

“Janë strukturat e rrënuara nga epoka jugosllave të cilat e dominojnë pamjen, qoshet kurioze prej betoni të Pallatit të Rinisë dhe Sporteve; shtypshkronja e gazetës Rilindja; dhe oxhaqet e një ish-fabrike të madhe tullash”, shkruan “The Economist”, kur flet për hapësirat të cilat mund të vizitohen në kuadër të Manifestës 14.

Duke folur për organizimin e Manifestës, “The Economist” tregon se ajo u mbajtë për herë të parë, në kohën kur Kosova ishte në prag të luftës dhe pothuajse i gjithë Ballkani ishte në gjende lufte.

“Kur edicioni i parë u hap për publikun në Roterdam në vitin 1996, territoret e ish-Jugosllavisë ishin në konflikt me njëra-tjetrën. Tani, më shumë se dy dekada që nga përfundimi i luftës së Kosovës, Prishtina është qyteti i parë në Ballkanin Perëndimor që është nikoqir i ngjarjes shëtitëse”, shkruan kjo gazetë.

Në këtë artikull, gazetara shkruan se nga 102 artistë pjesëmarrës, 40 prej tyre janë me prejardhje nga Kosova./The Economist