Foto: Manifesta 14 Prishtinë, Atdhe Mulla

Manifesta: Kur rrënojat kthehen në art

Jeta Xharra shkruan për përshtypjet e saj nga takimi i parë me bienalen lëvizëse e cila ka ndryshuar pikëvështrimin se si qytetarët e përjetojnë kryeqytetin e tyre të pazakontë, Prishtinën.

Në vapën përcëlluese të korrikut të këtij viti, hymë në Hotelin Grand përmes parkingut të errët prej 32 metra katrorë, parking që është i lagësht dhe pikon, i cili, njejtë si hoteli është ndërtuar në vitin 1974 dhe ka mbetë i lënë pasdore.

Hyrja e fshehtë në Manifestë përmes parkingut të Hotel Grandit e cila të fut në ekspozitën e “Kolektivit Jashtë-sezonal” | Foto: Jeta Xharra

Nëse i përcillni topat e gjelbërt në tokë prej parkingut, ato ju shpiejnë në një korridor gjysmë të fshehtë ku ju duhet t’i hapni perdet e rënda dhe t’ia prezantoni familjes, nëse e keni marrë me veti, përshtypjen e parë me Manifesta-n.

Fëmijët e mi 10 dhe 12 vjeçarë e kanë imagjinuar Manifestën të jetë njëfarë feste. Atë që ato panë, prapa këtyre perdeve, ishte një hapësirë që duket si toalet gjigand ose labirinth i qelive të burgut me pllaka të vjetra katrore ku i pret tabela “Agjencia Turistike Jashtësezonale e  Prishtinës”.

Fëmijë 9 vjeçar duke e filluar verën turistike në Prishtinë | Foto: Jeta Xharra

Revoltohen dhe protestojnë. Fillojnë të më bindin që kjo nuk është art. Përnjëherë ju kujtohet që kanë uri. Mua, nga ana tjetër, po fillonte të më pëlqente që takimi im i parë me këtë bienale po më dilte i paparashikueshëm, ndjenja se po hyja në serinë famoze e viteve ‘90, Tuin Peaks, ose Stranger Things sot, apo cilido nga filmat e David Lynch.

E kuptova që Manifesta, një instalacion i artit bashkëkohor i shtrirë në 25 lokacione nëpër Prishtinë, reflekton disponimin post-Covid që po e dominon artin bashkëkohor edhe në bienalet tjera nëpër botë siç është ajo e Venedikut, ku pavijoni italian dukej ngjashëm me ndërtesën e Rilindjes e cila është e hapur për tu vizituar në kuadër të Manifestës sivjet.

Rilindja, shtypshkronja e dikurshme me hapësirë të njëjtë sikur parkingu i Hotelit Grand, ku instalacioni kryesor është tingëllima shtypshkronjës, kreacion i Cevdet Erek, si dhe ndiçimi në ngjyrë të kuqe me neon që vjen e shkon nga përdhesa e ndërtesës e që simbolizon një epokë të shkuar të shtypit në një vend ku njerëzit dikur krenoheshin që kishin fituar të drejtën për të pasur shtyp në gjuhën shqipe, por tani nuk e kanë mundësi të lexojnë më asnjë gazetë ditore pasi ato më nuk shtypen dhe lexohen vetëm online.

Nga ky këndvështrim, korridori ‘Lynchian’ pas perdeve, i izoluar dhe që s’përdoret shpesh, duket një mjedis tepër imagjinativ për t’i vendosur veprat artistike të një grupi artistësh dhe punëtorësh kulturorë nga Kosova, Shqipëria, Rumania dhe Gjermania të cilët e kanë ideuar video-instalacionin në fazat e hershme të pandemisë duke filmuar në resortin e braktisur të Rradhimës, i cili në rrethana normale do të ishte i tejmbushur me turistë.

Krejt rastësisht nisa të dashurohesha në skutat e qytetit tim të cilat zakonisht përpiqem t’i shmang. Me këtë e kuptova që Manifesta po tentonte të na mashtronte për të bërë pikërisht këtë, po na bënte një trik e po na merrte me të mirë neve vendorëve duke na provokuar që t’i japim shansë për një përjetim ndryshe pjesëve të qytetit të cilat na përkujtojnë një grimë traume. 

Për mua, pikërisht ky kati i hotelit në të cilin Manifesta ka vendosur agjencinë turistike, është kati i njejtë që e ka pas recepcionin e kafen ku paramilitarët e Arkanit pinin dhe bridhnin gjysmë të dehur pas një “dite pune të lodhshme në teren” gjatë së cilës djegnin, vidhnin e vrisnin nëpër fshatrat e Kosovës në fund të viteve ‘90.

Disa prej nesh që kishim punuar si përkthyes apo fikserë për ekipet e shumta televizive ndërkombëtare gjatë luftës, kalonim me gjysmë fryme nëpër këtë lobi për të arrit deri në dhomat e editimit të BBC, CNN, ITV dhe Channel 4, meqë hotelet në Prishtinë ishin të paktë dhe dhomat e Grand-it ishin shndërruar në redaksi ku gazetarët montonin reportazhet e tyre televizive para se t’i dërgonin në transmetim në mbarë botën përmes rrjetit satelitor.

Por, derisa dhomat e hotelit ishin shndërruar në zyra për mediat e huaja gjatë luftës, autoritetet e asaj kohe e panë të udhës që katin e parë të Grand-it ta bëjnë “Media Qendër Serbe”, e që ishte de-facto një bazë e propagandës së Slobodan Milosheviqit që kishte për qëllim t’i “informonte drejt” mediat e huaja që po rrinin në këtë hotel me anën “e saktë” të rrëfimit mbi atë çka po ndodhte në Kosovë.

Sa këndshëm hakmarrëse që tash, gati një çerek shekulli pas kësaj përvoje time, ky kat po bëhet strehë e kuratoreve të vyeshme të Kosovës që udhëheqin Fondacionin 17 dhe Majlinda Hoxhës, artistes dhe fotografes shqiptare të Kosovës që ka fotografuar dhe intervistuar punëtorët e Grand-it për përvojat e tyre jo vetëm gjatë kohërave të ish-Jugosllavisë por edhe përgjatë turbullirave me atë që përvijohet si proces kriminal i privatizimit të hotelit i cili dështoi në Kosovën e pasluftës.

Përgjatë këtij procesi, të brengosur se veprat e artit që ishin ekspozuar në Hotel Grand nga vitet 1970 do të shiteshin për skrap me privatizimin e vitit 2006, punëtorët tentuan t’i shpëtojnë grafikat, pikturat, printimet dhe tapiceritë që ishin mbledhur dhe ekspozuar në hotel duke i mbyllur në një dhomë ato punime që mund të mbylleshin.

Me këtë rast, e bënë një pakt! Kurdo që ajo derë do të hapej, duhej të ishin prezent të paktën dy veta; njëri me çelës të derës dhe tjetri me turjelë elektrike në mënyrë që ta zhvidhosnin një dry shtesë që e kishin vendosur e që mund të hapej vetëm me atë turjelë, proces ky që u dokumentua gjatë një hulumtimi të BIRN-it vitin e kaluar

Duke e marrë parasysh këtë çudi, nuk është fare për t’u habitur që hoteli kishte kapluar imagjinatën e Manifestës, si festival i artit bashkëkohor i cili çdo dy vite shkon në qytet tjetër (që nga viti 1996) dhe kërkon kande imaginative nëpër qytet tjetër për të vendosur punimet e artistëve, dhe për këtë quhet bienale nomade.

Njëra prej grave më të zgjuara që kam takuar, Hedwig Fijen, themeluesja holandeze e Manifestës së cilën është vështirë t’i thuash jo nëse kërkon që të ndodh diçka, mori vendimin që mu në zymtësinë e këtij hoteli, zymtësi që cilën The New York Times në vitin e 2018 e kishte vlerësuar si vend “i shkretë, një labirinth me korridore pak të ndriçuara e të mbushura me pupla pëllumbash e me rrjeta marimangash”, mu këtu ta vendos pjesën kryesore të ekspozitës tejet kreative të Manfestës e cila shtrihet në shtatë kate dhe e cila literalisht rrënojat e dikurshme i kthen në art që po ekspozohet prej korrikut e deri në fund të tetorit sivjet.

Driton Selmani, një nga artistët vendorë që e ekspozon punimin e tij në temën e Dashurisë në Hotel Grand, e artikuloi mirë përjetimin se si Manifesta e kishte ndryshuar mënyrën se si qytetarët, apo ai vetë, po e shihte kryeqytetin.

Duke folur me Catherine Nichols, kuratoren kryesore e Manifesta-s, në një diskutim në shtator, Selmani tha se qytetarët e saj e përjetojnë Prishtinën si një ish-të-dashur që po e rizbulonin apo ri-takonin për herë të parë me një hartë në dorë, duke iu referuar faktit se 25 lokacionet ku ishte ekspozuar Manifesta ishin shënjuar për herë të parë në HARTË, për qytetin që asnjëherë nuk kishte pasur hartë të përdorshme e lere më hartë të gjelbërt, sepse ky qytet ishte gjithçka pos i gjelbërt. 

Diskutimi u mbajt në Qendrën për Praktika Narrative, një bibliotekë e dikurshme e fëmijëve e lënë pasdore që u ringjall nga Manifesta. Bashkëbisedimi mes Nichols dhe Selmanit analizonte se mos egziston mundësia që ta aplikojmë dashurinë në politikë si metodë për t’i shëruar defektet e shoqërisë në të njëjtën mënyrë si dashuria është e ditur që i shëron e ndreq zemrat e disponimet e njerëzve.

Ky diksutim goxha magjik shkoi deri në atë pikë sa Nichols tha që ajo në fakt e kishte parë një potencial të pabesueshëm në energjinë e Prishtinës dhe në begatinë e artistëve vendorë, sa që kjo e kishte bindur atë që Prishtina mund të bëhej e dashura e tashme e shumë vizitorëve, jo e kaluara. Në fakt kishte të drehtë sepse mbi dhjetëra mijëra njerëz e kanë vizituar Prishtinën mu për shkak të Manifestës në 3 muajt e fundit, njerëz që kurrë s’kishin qenë më parë në Prishtinë duke e trefishuar investimin që Kosova e ka fut në këtë bienale. Kjo tregonte se përderisa ne qytetarët e saj e përjetojmë Prishtinën si një Ish-e, duke lënë bërllog, makina të parkuara keq uzurpojmë hapësirën e saj publike e nuk kujdesemi për te, ishte një shtresë e njerzëve të ri e të huaj që po binin në sharmin dhe energjinë e saj.

Një grup i vizitorëve në njërën nga hapësirat e Manifestës | Foto: Manifesta 14 Prishtinë, Atdhe Mulla

Ishte pikërisht energjia dhe kuadri i artistëve bashkëkohorë të Kosovës, që për një vend të vogël si Kosova në fakt janë të shumtë dhe janë të njohur jashtë vendit, disa nga arsyet kryesore pse Prishtina është zgjedhur nikoqir i kësaj bienaleje përderisa konkurenca kishte qenë e rreptë edhe secili kryeqytet tjetër ballkanik do të mund të kishte ofruar infrastrukturë më të mirë.

Sipas Fijen, nga të gjitha Manifesta-t e mbajtura deri më tani nëpër botë, Bienalja e Prishtinës ka pasur më së shumti artistë vendorë të kenë ekspozuar në te. Nga më shumë se 100 pjesëmarrës, 37 përqind ishin nga Kosova dhe një 23 përqindësh tjetër nga shtetet tjera të Ballkanit Perëndimor. Ironia qëndron aty se këta artistë vendorë ekspozojnë më shumë jashtë Kosovës se brenda saj dhe duke marrë parasysh që kosovarët nuk janë ende të lirë të lëvizin pa viza nëpër Evropë, shumica e vendorëve nuk kanë arritur ende t’i shohin veprat e artistëve bashkëkohorë vendorë të ekspozuar në shkallë të tillë se sa që kanë qenë të ekspozuar tani në këtë bienale ndërkombëtare.

Për më tepër, Manifesta ka sjellë dhjetra-mijëra adhurues të artit në një shtet si Kosova që zakonisht vizitohet nga burokratë ndërkombëtarë me agjendë.

Pra kosovarët nuk e kanë të panjohur ndjenjën e një iniciative ndërkombëtare që vjen për të eksperimentuar me ta e në ta. Por ajo që duket e jashtëzakonshme në rastin e Manifesta-s është që ajo e bëri atë që premtoi se do ta bënte, i dha bujë zërave dhe përvojave vendore për të eksploruar “si të tregohen rrëfimet ndryshe”, siç e thotë edhe moto e saj.

Shoqëria në Kosovë shpesh është ndier si pjesë e eksperimentit politik, duke marrë parasysh që katër misione të ndryshme ndërkombëtare kanë provuar të udhëheqin me pjesë të shoqërisë dhe politikës së Kosovës që nga viti 1999.

Së pari ishte Misioni i OKB-së në Kosovë (1999-2007), më pas nga Zyra e Përfaqësuesit Civil Ndërkombëtar (2006-2008), Zyra Civile Ndërkombëtare (2008-2012), Misioni i BE-së për Sundim të Ligjit, EULEX (2008 e këtej) – që të gjithë erdhën me një narrativë të veten në të cilën rrëfimi vendor kryesisht u shtyp herë në emër të multietnicitetit, herë në emër të procesit të privatizimit e herë në emër të një paragjykimi që ata sollën me vete se Kosovarët ishin disi gjenetikisht të korruptuar.

Gjëja më e mirë që ka ndodhur me këtë bienale është se ajo nuk ka ardhur me ide të paramenduara e të paracaktuara se çka u duhet kosovarëve, por Manifesta erdhi me një metodë hulumtuese që nënkuptonte që së pari do të pyeste vendorët se çka ju duhet që qyteti të funksionojë për ta dhe këtë hulumtim e bëri përmes intervistave, debateve dhe teknologjisë (AI).

Ky studim më pas u përdor për të detektuar ku nevojiten të bëhen më së shumti intervenime urbane dhe çfarë intervenime duhet të jenë ato. Në librin “Megjithate Publike” që u botua si pjesë e Manifestës u spjegua që, në këtë hulumtim, urbanistët kuptuan që qytetarët ishin ngopur me intervenimet që ishin bërë në qytet vetëm në qendër, sa për tu dukur mirë për botën, e periferia kishte mbetur pa kujdesje. Mu për këtë, tri intervenimet urbane që kanë ndodh nuk janë në zemër të qendrës. Pra, metodologjia e Manifestës që në fund të fundit, nuk është një shkencë raketore,  përfshiu nivelin e studimit dhe gjithëpërfshirjen të cilën, fatkeqësisht, ne nuk kemi parë të ndodh nga të gjitha misionet politike ndërkombëtare e organizatat donatore që kanë qeverisur dhe kanë investuar në Kosovë në dy dekadat e fundit por që nuk e kemi pqrë të ndodh as nga autoritetet lokale.

Konkretisht, italiani Carlo Ratti dhe kosovarja Erza Dinarama, arkitektët me të cilën kur u takova më lanë përshtypjen e njerëzve që prekin me kambë në tokë, punuan, e animuan dhe e mobilizuan veçanërisht komunitetin që jeton në lagjen rreth Qendrës për Praktika Narrative, ish-bibliotekën Hivzi Sulejmani, që ta kthejnë atë hapësirë nga një vend i paqasshëm, i braktisur dhe që shërbente më shumë si parking ilegal veturash dhe keqpërdorej, një një hapësirë që do përdorej si hapësirë publike.

Pas diskutimeve me fqinjët e ish-biblotekës dhe debateve që i kishin bërë duke ngrënë pica në mahallë, arkitektët kishin shtruar pyetje se si do të mund t’i plotësonte nevojat e tyre  biblioteka e dikurshme e cila disa dekada më parë kishte qenë e rrethuar me një mur e sot është shëndrruar në “kuazi-dhomë e pritjes për komunitetin”. Shumica prej nesh nuk do të çuditemi me dy gjëra kryesore që i kërkuan banorët të ketë kjo hapësirë: një kopsht dhe një kafene ku mund të mblidhrshin e të bënin muhabet.

Kjo ndërtesë austro-hungareze e viteve të ‘30 u rimendua tërësisht nga stafi i Manifestës dhe bashkëpunëtorëve lokal të UNDP dhe me ndihmën e Komunës së Prishtinës u bë një kopsht imagjinativ të cilit nuk ju hoq busti i Hivzi Sylejmanit. Kopshtit ju vunë disa ulëse shkallë-shkallë që krijonin një mini-teatër për hapësirë debatuese, hyrja e saj u bë komplet e hapur për karroca. Përballë kopshtit u bë një bano që shërben kafe e përballë kafes hapësirë në xhama e shtruar me libra dhe çylyma ku mund të zhvillohen bisedat kur bëhet shumë ftohtë të qëndrosh në oborr. Pjesa e prapme e ndërtesës ka punëtori me vegla pune, me ngjyra dhe instrumente muzikore. Pra, një ish-biblotekë e zymtë tash ka disa funksione të cilat i mbesin qytetit edhe disa vite pasi që të kryhet Manifesta e cila e ka obligim ta menaxhojë për 4 vite. Më e mira e kësaj është që hapësira është e renovuar në atë formë që oborri nuk ka derë e as çelës që ia ndalon banorëve të mahallës ta përdorin kopshtin dhe kafenenë. 

E njëjta çasje në renovim vlen edhe me Tulltoren, ish-fabrikë e Tullave, e cila ishte lënë e papërdorur për më shumë se një dekadë dhe ishte hapësirë shumë sfiduese për ta ringjallur dhe potencialisht me plot materiale të rrezikshme. Kur BIRN e vizitoi këtë hapësirë në korrik, vetëm pak javë para se të fillonte Manifesta, vendi ishte përplot me bërllok dhe mbetje të vrazhda. Në atë kohë kjo hapësirë po shërbente si pikë ndalese për kamionë, rrotat e mëdha të të cilëve e shtypnin bërllokun poshtë tyre dhe të gjithë beheshin thuajse s’po e shihnin pisllëkun. Përparim Rama, kryetari i komunës i cili kishte marrë postin vetëm gjashtë muaj para se të niste Manifesta, foli hapur për sfidën për ta pastruar dhe ribmjellur këtë hapësirë, pasi që ishtë obligim i komunës për ta bërë këtë.

Foto: KALLXO.com.

Në një debat me kryetarët e komunave të Amsterdamit dhe Palermos rreth transformimit të hapësirave publike që u zhvillua si pjesë e Manifestës, ai e pranoi se do ishte vështirë të mobilizohej pastrimi kolosal i kësaj hapësire të fabrikës nga bërlloku poqëse nuk do të ishte shtytja që i gjithë stafi i komunës dhe kompanisë së pastrimit e kishin që Manifesta s’kishte qare të fillonte me 22 korrik dhe kjo hapësirë ishte në hartën e saj.

Urgjenca që duhej të mobilizoheshin vinte nga fakti që dita e hapjes po afrohej dhe mediat e huaja do të ateronin në kryeqytet si një cirk. Kjo i dha një shqelm shtytës për tu këthjell makinerisë së përgjumur institucionale të Kosovës. Përnjëherë gjërat që dukeshin të pamundura për t’u bërë më parë nisën me ndodh. Këtu përfshihet edhe hapja e Hamamit (renovimi i të cilit kishte shkuar mbrapsht), hapja e hapësirës së Rilindjes dhe Kino Rinisë (të dyja këto ishin menduar për privatizim tash rishtazi). Tani këto janë hapësira që, me shpresë, do të mbesin hapësira publike edhe kur Manifesta të shkojë.

Ndërhyrja urbane më delikate, por gjithashtu edhe më domethënëse për një nga lagjet më të margjinalizuara të Prishtinës, është Korridori i Gjelbërt i Manifestës, i cili ringjalli binarët e hekurudhës së lënë pasdore që ishte shndërruar në tokë të pashkelur (e keni shkel vetëm në rast se keni jetuar atypari ku ka jetuar pjesa më e varfër e popullatës).

Korridori i Gjelbër i Manifestës | Foto: Manifesta 14 Prishtinë, Ivan Erofeev
Manifesta 14 Prishtina, Ivan Erofeev

Tani binarët shërbejnë si staza të ecjes përgjatë drunjve dhe barit të mbjellë si dhe karrigeve të lyera me ngjyrë të verdhë dhe syve të ndezur të banorëve që nuk kanë pasur rastin të shohin më parë kaq shumë njerëz nga pjesë tjera të qytetit të vizitojnë lagjen e tyre.

Ky interaksion i pazakontë ndërmjet adhuruesve të artit dhe druprerësve të lagjes ku jetojnë shumë pjesëtarë të komunitetit rom është ajo çka e bën tërë këtë projekt të mos vuaj nga prepotenca dhe paqasshmëria të cilat do të kishin qenë rrezik të ndodhin në një bienale të artit bashkëkohor ndërkombtar që kishte vendosur të stacionohej në shtetin më të pazhvilluar në Evropë që kishte pas restrikcione të rrymës e të ujit mu në verën kur Manifesta ishte në Prishtinë. Por, kjo fatmirësisht nuk ndodhi sepse kjo bienale gërshetoi sofistikimin ndërkombëtar me aktivitete dhe intervenime urbane të dobishme dhe praktike për vendorët, intervenime këto që do mbijetonin përtej Manifestës dhe si rezultat rezonuan mjaft mirë si te turistët ashtu edhe te vendasit.

Korridori i Gjelbër, para renovimit, ishte një skenë e sjellë nga imazhet e Loukia Alavanou, regjisorja që krijoi filmin e realitetit virtual on Pavijonin Grek të edicionit të sivjetmë të Bienales së Venedikut, që po ndodh në të njëjtën kohë me Manifesta-n por që zgjat deri në fund të nëntorit, e që e vendos tragjedine e Sofokliut “Edipi” brenda një komuniteti rom në periferi të Athinës.

Athua pse lagjet në në margjina të qyteteve të ndryshme të Ballkanit ku përfundojnë romët duken të gjitha njësoj. Në Pavijonin Grek, njeriu mbetet i bllokuar brenda një hapësire të errët, me karrigen që shtrihet dhe syzet VR në kokë, jo vetëm në sy, gjë që të bën të detyruar të takosh banorë të lagjeve rome që të shikojnë me pamjen 360 shkallëshe të këtij filmi.

Një përvojë e ngjashme të pret përderisa ec në Korridorin e Gjelbër të Prishtinës ku ndjen se duke ecur përgjatë binarëve të hekurudhës ti në fakt je duke kaluar pranë oborreve të banorëve të cilët janë duke pre dru aty dhe presin të ndërrosh ndonjë llaf me ta. 

Nëse është një gjë që në Bienalen e Venedikut të jep atmosferën e njëjtë sikur t’i vizitosh disa lokacione të Manifesta-s në Prishtinë është pikërisht Pavijoni Italian ku artistja Gian Maria Tosatti ka koreografuar me kujdes hapësirat e mbushura me makina të vjetruara dhe pajisjet e braktisura, relike të një epoke tashmë të shkuar të industrializimit në Itali por të cilat mbesin ende në përdorim këtu në Kosovë.

Gjërat të cilat njiheshin si të pranueshme dhe të tolerueshme në Itali dhe Britani të Madhe para 50 apo 70 viteve, por jo më, tolerohen ende në Kosovën e sotme.

Përderisa Prishtinës po i vjen dimri në të cilin ndoshta mund ta kemi nivelin më të lartë të ndotjes së ajrit të ndihmuar nga një vendim i paprecedent i qeverisë për ta lejuar shitjen e linjitit – llojit më të keq të qymyrit për të ngrohur shtëpitë, prqktikë që ishte ndalur në 2018 – si dhe nga një vendim tjetër për t’u dhënë mijëra tonelata qymyr si bamirësi mijëra punëtorëve të Korpratës Energjetike të Kosovës (KEK), dyja këto vendime të cilat ia mveshin popullatës një faturë të fshehtë por edhe më të shtrenjtë shëndetësore (meqë qymyri i djegur është burim i shumë sëmundjeve të frymëmarrjes, sidomos te fëmijët dhe të moshuarit), atmosfera e rënduar e errësirës në Pavijonin italian që i bën homazh një periudhe të industrializmit të së kaluarës ngjan shumë me kryeqytetin tonë të sotëm. 

Ndoshta ngjyra e gjelbër që definon Manifesta-n dhe Korridori i Gjelbër i saj tani do të mbulohen nga e hirta, errësira dhe smogu i qymyrit që e definon Prishtinën kur kryhet vera, duke në rikujtuar fytyrën e vërtetë të katastrofës klimatike. Neve na mbetet të presim e të shohim.

TOP 10 VEPRAT TË ARTISTËVE VENDORë PËR T’U PARË NË ‘MANIFESTA’

  1. Petrit Abazi, kurator nga Mitrovica dhe artistët Greville & Pinchuk. Videoja e tyre që projekton një burrë duke notuar në lumin Ibër në veri të Kosovës; një not jo në lëvizje por në vendqëndrim. Filmi që projektohet në dysheme të një dhome të ngushtë që të zë frymën të hotelit Grand, është ilustrues për izolimin që njerëzit ndiejnë duke jetuar në pjesën veriore të Kosovës, ku jetohet e operohet në lojalitet të pasigurt mes Kosovës dhe Serbisë.
  2. Majlinda Hoxha & Fondacioni 17; puna e këtyre grave është jo vetëm artistike por edhe një studim të vlefshëm antropologjik. Studimi disavjeçar i Majlinda Hoxhës përmes intervistave dhe fotografive të jetës së Hotelit Grand përgjatë dekadave dhe intervistave që i ka bërë Fondacionit 17 me ata që krijuan / ekspozitën Përtej që u hap në vitin 1997 në Beograd në Qendrën për Dekontaminim Kulturor, që nxiti debat për artistët nga Kosova që kishin ekspozuar punën e tyre në kryeqytetin e Serbisë.
  3. Driton Hajredini, MËKATI (SIN); kjo është një video argëtuese nga artisti kosovar që filmoi një bashkëbisedim të vërtetë me një prift gjerman që i qëndroi politikisht korrekt rolit të tij kur Hajredini huri në kabinën e tij në vitin 2004 që të rrëfehet me një pyetje djegëse: Çfarë mëkati duhet të kenë bërë shqiptarët që vazhdimisht ‘dënohen’ me vështirësi të lëvizjes pa viza?
  4. Grandi i Ri (Blerta Hashani, Arbnor Haliti, Valdrin Thaqi, Ermir Zhinipotoku dhe Mimoza Sahiti); artistët më të rinj që ekspozohen në Manifesta, pikturat e të cilëve janë premtuese dhe karriera e tyre duhet të ndiqet viteve në vijim.
  5. Ekspozita RomaMoMa e Fahrije Mehmetit në Bibliotekën Kombëtare; portretet e saj plot jetë të grave rome janë gjëja më e këndshme që mund ta shihni në këtë ndërtesë të viteve 1970. Koleksioni i pikturave dhe librave të Mehmetit duhet të mbesin pjesë e koleksionit të përhershëm për t’u prezantuar në Pristinë në mënyrë që të dokumentohet trashëgimia dhe kontributi i kulturës rome në Kosovë.
  6. Alije Vokshi, ndoshta zbulimi më i mirë artistik i Manifesta-s, duke ringjallur punën e gruas së parë piktore në Kosovë, e lindur në vitin 1945 që vdiq sivjet. Ajo ishte artistja më e panjohur në Kosovë. Portretet e saj ekspresioniste të grave të moshave të ndryshme janë trashëgimi kombëtare që duhet të mbeten vazhdimisht të ekspozuara që të inspirojnë gjenerata të ardhshme.
  7. Hana Zeqa, një dizajnere imagjinative e modës që ka ekspozuar rrobat që nuk fshehin stresin dhe ankthin e trupit. Ajo përdor sensorët motorikë për të detektuar në mënyrë hiptetike stimujt e stresit në pjesë të ndryshme të trupit me qendër në krahëror, duke hapur një temë se sa pak është bërë në shoqërinë kosovare për t’u përballur me stresin e grumbulluar që vjen nga jetesa në një habitat që inkurajon të qëndruarit stoik dhe nuk toleron diskutimin për shëndetin mental.
  8. Përdorimi imagjinativ i katit të sipërm të Hotelit Grand nga Petrit Halilaj; pesë yjet që dikur tregonin luksin, tani gjinden rreth mbishkrimit në anglisht “Kur të perëndojë dielli, do ta pikturojmë qiellin”, një citat i 12 vjeçares Njomza Vitia. Kjo duket shumë më mirë se ajo që ishte më parë në kulm të hotelit dhe duhet, idealisht, të mbetet gjithmonë pjesë e peisazhit të Prishtinës.
  9. Doruntina Kastrati; “Cingërroji zilet e vendit tim” ka bërë një instalacion apokaliptik të peisazhit shkëmbor që supozohet të simbolizojë planetin Mars por i cili, me të gjitha tullat e kuqe në dysheme, të lidh më shumë me Kosovën e pasluftës ku shumë tulla shtëpish të djegura u shpërndanë nëpër tokë; një ekspozitë tjetër që përshtatet plotësisht me ambientin e krahut të demoluar të hotelit Grand që mbeti i tillë, gjysëm i shkatërruar për shkak të një privatizimi që shkoi për dreq. Mu në atë krah ekspozohen të gjitha veprat e festivalit.
  10. Artan Hajrullahu; vizatimet e bëra në letër janë skena nga jeta e përditshme që shpesh tregojnë tërë familjen të mbledhur bashkë në një dhomë dhe që përbëjnë portete të ëmbla dhe intime të një jetese në bashkësi.

TOP 5 VEPRAT NGA ARTISTËT E BALLKANIT PËRENDIMOR

  1. Është inkurajuese që Lek M. Gjeloshi, artisti nga Shkodra, thyen tabunë si shqiptar që vendos të studjojë simbole që i ka parë në mure të Manastirit të Deçanit i cili për shqiptarët është bërë një lokacion aq i mbrojtur dhe i izoluar sa që e kanë vështirë ta vizitojnë pasi që priftërinjtë serbë që jetojnë aty ankohen se vizitorët shqiptarë mund ta dëmtojnë. Nga ky bagazh, Gjeloshi ka studiuar dy figura të pazakonta dhe misterioze që ndodhen në të majtë dhe në të djathtë të afreskave me kokën e Mesias. Duke i bërë këto afreska të murit të manastirit të qasshme për audiencën e përgjithshme në video, këto shëndrrohen pjesë e një kulture Kosovare, gjë që e thekson që manastiri nuk është ekskluzivisht trashëgimi ortodokse e Serbisë, siç do të donin priftërinjtë Serb të ishte. 
  2. Vangjush Vellahu, në “Kur shkurtohen rrëfimet në tokë”, ka filmuar gjashtë territore të trazuara përgjatë një periudhe dyvjeçare: Abhazi, Qipro Veriore, Nagorno Karabah, Oseti Jugore dhe Kosovë. Filmat janë pjesë e katit ‘Në Tranzicion’ në hotelin Grand. Ato ofrojnë pikëpamje fascinuese të jetës së përditshme të dokumentuara nga banorët e këtyre vendeve.
  3. Marta Popivoda, “Jugosllavia, si ideologjia lëvizi trupin tonë kolektiv”, një koleksion i rrallë arkivor i ritualeve në Republikën Socialiste Federative të Jugosllavisë, i mbledhur përgjatë viteve 1945- 2000. Filmi ringjall shumë dhimbje për Kosovën pasi që aty shihet video e fjalimit të plotë të Slobodan Milosheviqit në Gazimestan në vitin 1989, aty ku ai lansoi ideologjinë e luftërave që do të pasonin në ish-Jugosllavi, e që kulmuan me spastrimin etnik ndaj shqiptarëve të Kosovës 10 vite pas. 
  4. Off-Season Collective/Kolektivi jashtësezonal, veprat artistike të disa artistëve nga Evropa Juglindore që kanë qëndruar në koloninë artistike në Shqipëri dhe po i shfaqin videot e tyre në pjesën më të fshehur të Grandit, në një atmosferë që do t’ju bëjë ta shihni turizmin pak më ndryshe.
  5. Driant Zeneli nga Shkodra, që portretizon versionet futuriste dhe robotike të kafshëve në një përpjekje inxhinierike që duket jashtëzakonisht estetike, e sidomos pilivesa robotike.

TOP 5 VEPRAT E ARTISTËVE NDËRKOMBËTARË

  1. Beth Stephens & Annie Sprinkle; shtrati i tyre spektakular nga dheu i quajtur Shtrati i Pistë është një vepër mbresëlënëse që i përshtatet në mënyrë perfekte hotelit të demoluar siç është ky aneks i Grandit.
  2. Mette Sterre, Seapussy Power Galore – Abscession (nëse nuk e di, nuk rritesh), një instalim shumëngjyrësh me maska i trupave me robotikë dhe pompa kompresimi që i fryejnë e çfryejnë materialet, duke na dhënë një botë të ambave gjigante dhe organizmave që frymëmarrës ku gurgullohet e lëngohet, kjo është gjëja më e mahnitshme, shumëngjyrëshe e spektakulare që do ta shihni në Manifesta.
  3. Chiharu Shiota, Tell me your Story, ka bërë një ndërhyrje të përkryer në Hamamin e Madh të Prishtinës i cili daton nga shekulli 15. Duke kërkuar nga njerëzit e Kosovës që të shkruajnë storjet e tyre të lindjes, fëmijërisë, familjes, vendit, fesë, dashurisë dhe vdekjes e mëpastaj duke i lidhur ato në penj të kuq si venat për të qëndruar të varura në një hapësirë si hamami ku njerëzit kanë ndarë momente intime, krijon një atmosferë reflektuese dhe përjetohet si moment mjaft shpirtëror duke e kujtuar që po e viziton këtë instalacion në pjesën më të vjetër të Prishtinës ku gjinden më së shumti objekte fetare. Fakti që shumë nga ne vizitorët vendorë nuk kemi pasur rastin kurrë të hyjmë në këtë Hamam, e kemi ndëgjuar për te, ky instalacion i një të huaji që është shkas për ne të shkojmë aty, shëndrrohet në një vizite të përmallur që ja bën një paraardhësi të cilin nuk kemi qenë të lejuar ta takojmë deri tani si qytetarë të Prishtinës.
  4. Alevtina Kakhidze, artistja ukrainase që bëri punimin “Invazionet” e që ekspozohet në Galerinë e Arteve. Punimi është një seri e vizatimeve dhe shënimeve që përshkruajnë një studimin filozofik se si rritet një bimë nëse çkulet edhe mbjellet në një ambient tjetër prej aty ku ka lindur dhe si mbijeton aty nëse bën ‘invazion’ në dhe të huaj. Përmes analizimit të shprehive të bimëve e vegjetacionit artisti nxjerr mësime për temën e sundimit, pushtimit, mbijetesës e përkatësisë. Kjo është një mënyrë fascinuese e të shikuarit të luftës përmes natyrës së vegjetacionit që pushton territore tjera dhe si lëshojnë rrënjë.
  5. Ugo Rondinone, Monumenti i Heronjve të Luftës nacional-Çlirimtare të Luftës së Dytë Botërore u transformua përkohësisht nga një monument partizan gri në një monument të mbështjellë me folie ngjyrë pink. Kjo është shumë relevante sepse është e qartë që “Vëllazërim- Bashkimi” si simbol i këtij monumenti u bë realitet në Kosovë, kështu që mbështjellja e tij me mburojë pink/të pembe është shumë më adekuate dhe provokative se sa që ishte pa këtë folie të përkohshme.