Sheshi Zahir Pajaziti - Prishtinë - Foto Naim Krasniqi - KALLXO

Prishtina mund të akomodojë deri në 7 mijë turistë

Muaji korrik dhe gusht shënojnë periudhën kur kryeqyteti i Kosovës ka numër më të madh të turistëve si shkak i pushimeve, ardhjes së diasporës dhe organizmit dhe eventeve të ndryshme.

Këtë verë Prishtina do jetë nikoqire e disa festivaleve kulturore, dy prej tyre me karakter ndërkombëtar siç është bienalja evropiane ‘Manifesta 14’ dhe ‘Sunny Hill Festival’.

Përpos këtyre festivaleve, në Prishtinë gjatë muajve korrik-gusht organizohen edhe festivali ndërkombëtar i Operas, festivali i Birrës dhe Festivali i Gastronomisë.

Gjithashtu në muajin gusht, në Prizren organizohet festivali ndërkombëtar i filmit të metrazhit të shkurtër, Dokufest, ku një pjesë e pjesëmarrësve akomodohen në kryeqytet.

Organizatorë të këtyre festivaleve kanë bërë të ditur se presin me mijëra vizitorë në këto festivale.

Manifesta pritet të zgjasë nga data 22 korrik deri më 30 tetor, kurse Festivali muzikor ‘Sunny Hill’ organizohet në javën e parë të muajit gusht.

Por, sa ka kapacitete Prishtina për të akomoduar numër të madh turistësh në të njëjtën kohë.

Hysen Sogojeva, kryetar i Odës dhe Hotelerisë dhe Turizmit për Kallxo.com ka bërë të ditur se në gjithë Kosvën janë 500 njësi akomoduese, prej tyre 40% janë në Prishtinë. Ai potencoi se në Prishtinë mund të akomodohen 5-7 mijë turistë.

“Në bazë të dhënave në Agjencinë e Statistikave, në Kosovë ekzistojnë rreth 500 njësi akomoduese, përfshirë hotele, hostele, motele, bujtina kampingje etj. Në Prishtinë janë 40% e tyre. Edhe numrin e dhomave e shtretërve e mbulon më shumë Prishtina. Në Prishtinë mund të akomodohen 5-7 mijë turistë, pasi Prishtina nëpër hotele ka 4,500 deri 5,000 shtretër.

Sogojeva tutje theksoi se në gjithë vendin janë  rreth 7 mijë dhoma me rreth 11 mijë shtretër por nëse llogarisim se mund të mos jenë të dhëna precize (raste kur nuk regjistrohen), janë më së  shumti 13 mijë shtretër, prej tyre gjysma në kryeqytet.