Stërvitja në Srebrenicë Shqetëson Boshnjakët

Banorët boshnjakë të Srebrenicës, shoqatat e viktimave dhe partitë boshnjake reaguan me zemërim ndaj një stërvitje policore që Ministria e Punëve të Brendshme e Republikës Serbe filloi në një fshat të këtij qyteti të martën, duke e quajtur atë një përpjekje për të trembur boshnjakët që të mos kthehen në qytetin lindor boshnjak.

“Ajo që ndodhi na kujtoi të gjithëve ditët para luftës së viteve 1992-1995. Në atë kohë kishte gjithashtu zyrtarë të armatosur që thanë se thjesht po stërviteshin,” tha për BIRN të mërkurën Zumra Sehomeroviç, një anëtare e shoqatës “Nënat e Srebrenicës dhe Zepës”.

“Kjo ishte e tmerrshme për të gjithë banorët e Srebrenicës që përjetuan luftën dhe gjenocidin në vitin 1995,” tha Sehomeroviç, duke iu referuar vrasjes masive të më shumë se 8,000 burrave dhe djemve boshnjakë në Srebrenicë nga trupat serbe të Bosnjës nën udhëheqjen e gjeneralit Ratko Mlladiq.

Policia e Republikës Serbe filloi stërvitjen taktike në fshatin Luka të martën, duke angazhuar dhjetëra pjesëtarë të njësive speciale të policisë dhe bërë bllokimin e lëvizjes në zonë pa lajmëruar më parë banorët ose administratën e komunës, raportoi media boshnjake.

Stërvitja duhet të zgjasë 3-4 ditë, tha për faqen e internetit Klix të mërkurën Gojko Vasiq, ministri i Brendshëm i Republikës Serbe.

Të martën në mbrëmje, partia kryesore boshnjake, Partia për Veprim Demokratik, SDA, nxori një deklaratë duke e dënuar veprimin.

“Këto aktivitete nga ana e Ministrisë së Brendshme të Republikës Serbe nuk janë asgjë më shumë veçse një shenjë dhune ndaj popullatës boshnjake në Srebrenicë, me qëllim frikësimin e të rikthyerve që i kanë mbijetuar eksodit, krimeve të luftës dhe gjenocidit,” thuhet në deklaratën për shtyp.

“Ky incident mund të ndikojë në mënyrë të përhershme në sigurinë e vendit tonë dhe i bëjmë thirrje EUFOR-it ( forcës ushtarake të BE-së të vendosur në Bosnjë) dhe të gjitha institucioneve të tjera kompetente të komunitetit ndërkombëtar që ta shqyrtojnë këtë çështje dhe të angazhohen për të mbrojtur të rikthyerit në Srebrenicë,” vazhdonte deklarata.

Kryetari boshnjak i Srebrenicës, i cili po kërkon një mandat të dytë në zgjedhjet lokale që do të mbahen në tetor, tha për mediat se të rikthyerit boshnjakë po ndiheshin nën presion si pasojë e stërvitjes së policisë.

“Si boshnjakë, ndiejmë se kjo është një mënyrë për të na bërë presion, sidomos me zgjedhjet e ardhme lokale, të cilat janë gjithmonë të trazuara në Srebrenicë,” tha për televizionin rajonal TV N1 Camil Durakoviq.

Megjithatë, zyrtarët e Republikës Serbe pohuan se stërvitja taktike ishte një operacion rutinë dhe se banorët nuk kishin asnjë arsye për të pasur frikë.

“Kemi bërë stërvitje të tilla edhe në rajonin e Krajinës dhe Hercegovinës. Anëtarë të policisë speciale duhet të kenë një numër të caktuar ditësh stërvitjeje në zona malore që të njohin më mirë terrenin dhe të ruajnë një gjendje të përshtatshme fizike të njësive tona,” tha Gojko Vasiq për TV N1 të martën.

“Është mirë që banorët të ndërhyjnë kur shohin se diçka po ndodh, në rast se ata shohin dikë që nuk është anëtar i policisë apo ushtrisë,” shtoi Vasiq.