Skandali i fajdeve, arrestohen Rrahim Hashimi e Kadri Rexhepi

Policia e Kosovës ka njoftuar se sonte ka zbatuar aktvendimin e Prokurorisë së Ferizajt dhe ka arrestuar dy persona të dyshuar për përfshirje në veprat penale – mashtrim, shantazh dhe detyrim.

Fjala është për Rrahim Hashimin dhe Kadri Rexhepin, dy personat që janë shfaqur në disa video të publikuara në medie duke marrë para nga Faton Dalladaku, me premtimin se do t’i siguronin leje për ndërtimin e një spitali privat në hapësirat e QKUK-së.

Pamjet pretendohet se janë marrë gjatë vitit 2012.

Në këto pamje, Hashimi e Rexhepi pretendojnë se për veprimet e tyre janë të njoftuar edhe kryetari dhe nënkryetari i PDK-së, Kadri Veseli e Xhavit Haliti.

Të dyshuarit sipas aktvendimit dërgohen në mbajte për 48 orë, njofton Policia e Kosovës.