Blinken: Wagner po përfiton nga destabiliteti pas grusht-shtetit në Niger

Grupi mercenar rus Wagner po “përfiton” nga paqëndrueshmëria në Niger, i tha BBC-së Sekretari Amerikan i Shtetit Antony Blinken.

Nigeri po qeveriset nga një juntë ushtarake pas rrëzimit të presidentit Mohamed Bazoum gati dy javë më parë.

Ka pasur sugjerime që udhëheqësitr e grusht-shtetit kanë kërkuar ndihmë nga Grupi Wagner, i cili dihet se është i pranishëm në Malin fqinj.

Blinken ka deklaruar se nuk mendon se Rusia ose Wagner e kanë nxitur grusht-shtetin të Nigerit.

Megjithatë, SHBA-të janë të shqetësuara për grupin që “ndoshta do të shfaqej” në pjesë të rajonit të Sahelit, ka shtuar Blnken për programin ‘Fokusi në Afrikë’ të BBC-së.

“Mendoj se ajo që ndodhi dhe ajo që vazhdon të ndodhë në Niger nuk është nxitur nga Rusia apo nga Wagner, por… ata u përpoqën të përfitonin prej saj. Çdo vend i vetëm ku ky grup Wagner ka shkuar, vdekja, shkatërrimi dhe shfrytëzimi kanë pasuar,” ka deklaruar  Blinken.

Ai shtoi se ka një “përsëritje të asaj që ka ndodhur në vendet e tjera, ku ata nuk sollën asgjë tjetër përveç gjërave të këqija pas tyre”.

Si SHBA ashtu edhe Franca operojnë baza ushtarake në Niger si pjesë e operacioneve për të përçarë grupet xhihadiste që veprojnë në rajon më të gjerë. Nigeri u bë baza kryesore për trupat franceze pasi atyre iu tha të largoheshin nga Mali pas një grushti shteti atje.

Wagner besohet të ketë mijëra luftëtarë në vende duke përfshirë Republikën Qendrore të Afrikës (CAR) dhe Mali, ku ka interesa fitimprurës biznesi, por gjithashtu i forcon marrëdhëniet diplomatike dhe ekonomike të Rusisë.

Luftëtarët e Wagner janë akuzuar për shkelje të përhapura të të drejtave të njeriut në disa vende afrikane.

Pavarësisht kësaj, ka pasur spekulime se ushtria e Nigerit i ka kërkuar Wagner-it ndihmë pasi ky vend i Afrikës Përendimore po përballet me mundësinë e ndërhyrjes ushtarake.

Të hënën, zëvendëssekretarja e Shtetit e SHBA, Victoria Nuland zhvilloi bisedime “të vështira dhe të sinqerta” me krerët e grushtit të shtetit, për të cilët ajo tha se kuptonin rreziqet e punës me mercenarët.

Aktualisht është e paqartë nëse luftëtarët e Wagner janë futur në Niger, por kanali i njohur Telegram i lidhur me Wagner, Gray Zone tha të hënën se rreth 1,500 luftëtarë të tij janë dërguar së fundmi në Afrikë.

Ai nuk specifikoi se ku dhe në cilin në kontinent ata dyshohet se janë vendosur.

Udhëheqësi i Wagner, Yevgeny Prigozhin i ka kërkuar juntës që të “na telefonojë” në një mesazh zanor të ngarkuar në Telegram të martën.

“Ne jemi gjithmonë në anën e së mirës, në anën e drejtësisë dhe në anën e atyre që luftojnë për sovranitetin e tyre dhe për të drejtat e popullit të tyre”, tha ai.

Nigeri është një ish-koloni franceze dhe grushti i shtetit ka çuar në një valë ndjenjash anti-Francë dhe pro-ruse në këtë vend – të ngjashme me atë të përjetuar nga vendet fqinje, Mali dhe Burkina Faso.

Të dy vendet, të pezulluara nga blloku rajonal i Afrikës Perëndimore ECOWAS, dërguan një delegacion në Niamey për t’i siguruar udhëheqësit e grushtit të shtetit se do të mbroheshin kundër vendeve të tjera të Afrikës Perëndimore dhe aleatëve të tyre perëndimorë nëse është e nevojshme.

“Dëshiroj t’ju kujtoj se Burkina Faso, Mali dhe Nigeri janë përballur për më shumë se 10 vjet me pasojat negative të aventurës së rrezikshme të NATO-s në Libi,” tha gjatë vizitës zëdhënësi i qeverisë së Malit, Abdoulaye Maiga.

“Një gjë është e sigurt, presidenti [i Malit] Goita dhe Presidenti [Burkina Faso] Traoré kanë thënë qartë jo, jo dhe jo. Ne nuk do të pranojmë ndërhyrjen ushtarake në Niger. Ata po vijnë për mbijetesën tonë.”

Ndërkohë, junta e Nigerit ka refuzuar ta priste një delegacion të përfaqësuesve të bllokut rajonal të Afrikës Perëndimore ECOWAS, Bashkimit Afrikan dhe OKB-së, i cili duhej të mbërrinte në kryeqytetin Niamey të martën.

Në një letër ku patyi qasje AFP të martën, udhëheqësit e grushtit të shtetit thanë se siguria e grupit nuk mund të garantohej për shkak të “zemëratësdhe revoltës publike” mbi sanksionet e vendosura nga ECOWAS.

ECOWAS u kishte dhënë liderëve të grushtit të shtetit të Nigerit deri të dielën që të tërhiqen dhe të rikthejnë presidentin Bazoum në presidencë dhe tani do të takohen të enjten për të vendosur se çfarë të bëjnë më pas.

Junta e Nigerit e ka emëruar ish-ministrin e financave të vendit, Ali Mahaman Lamine Zeine, si kryeministër të ri të vendit pas grushtit të shtetit.

Zeine e ka zëvendësuar Mahamadou Ouhoumoudou, i cili ishte në Evropë gjatë grushtit të shtetit./BBC