Konferenca për barazinë gjinore

Prezantohet raporti për Barazi Gjinore në Kosovë

Zëvendës shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Kilian Wahl, ka thënë se promovimi i barazisë gjinore në Kosovë, është bërë pjesë e integrimit të saj.

“Promovimi i barazisë gjinore nuk është më temë e izoluar por është bërë pjesë integrale e zhvillimit të gjithmbarshëm të shoqërisë. Burrat duhet dhe mund të luajnë rol pozitiv në luftimin e stereotipeve gjinore dhe në promovimin e barazisë gjinore”, tha ai.

Këto deklarata Wahl i ka bërë sot, në prezantimin e raportit me gjetjet nga anketat ndërkombëtare  për burrat dhe barazinë gjinore, e cila është zhvilluar për herë të parë në Kosovë.

Ai tha se tërë progresi i arritur ka disa sfida, por barazia gjinore nuk është thjeshtë çështje e grave, por e gjithë shoqërisë e gjithashtu edhe e burrave.

Sipas tij, burrat dhe djemtë ballafaqohen me sfida, por për t’i kuptuar këto është bërë një hulumtim për dy vite në 30 vende të botës.

“Të dhënat në këtë raport thërrasin për intervenim të menjëhershëm, sepse OSBE në Kosovë shpreson që partnerët do t’i shfrytëzojnë këto të dhëna që burrat të pranojnë barazinë gjinore”, tha ai.

Autorja e këtij raporti Donika Limani, ka thënë se një nga tiparet kryesore të këtij raporti është se gjithmonë shohim më shumë gra që marrin pjesë kur ka tema të kësaj natyre.

“Kur flasim për barazi gjinore më shumë ka gra, por duhet të ketë edhe burra këtu”, u shpreh ajo.

Limani sqaroi se kjo është një anketë ndërkombëtare dhe se është krijuar nga Qendra për Hulumtim të Grave. Pikësynim i këtyre anketave kanë qenë gratë dhe burrat nga mosha 18 deri në 65 vjeç.

Ndër të tjera ajo tha se kanë qenë dy fokus-grupe. Dy shqiptarë  e dy serbë dhe ajo se çfarë është bërë në këto fokus-grupe ka qenë që këta pjesëmarrës t’i japin idetë e tyre.

Ndërsa, përfaqësuesja e UNFPA Kosova Visare Mujko-Nimani, tha se që nga paslufta Kosova ka shënuar progres sa i përket barazisë gjinore.

“Ne si UNFPA duam që të punojmë në mënyrë të barabartë dhe prioritet për ne është preferenca gjinore, sepse të gjitha familjet në Kosovë dëshirojnë që të paktën ta kenë një mashkull në shtëpi”, tha ajo.

Mujko-Nimani tha se përkundër kësaj pune mbetet shumë për t`u bërë rreth angazhimit të të gjithë akterëve, por shpreson që institucionet t’i marrin parasysh rezultatet e dala nga ky raport.

E drejtoresha për Barazi Gjinore në Kosovë Edi Gusia, ka thënë se ky raport ofron të dhëna të mjaftueshme.

“Sa kam parë nga ky hulumtim është që norma kulturore po e sfidon normën ligjore”, deklaroi ajo.

Sipas saj ky hulumtim rithekson faktin se për arritjen e barazisë gjinore për çdo proces duhet vendosur dialogu mes gjinive, ku burrat dhe djemtë janë promovuesit e barazisë gjinore.

Misioni i OSBE-së dhe Zyra e UNFPA kanë bashkëpunuar për gjetjet nga anketa ndërkombëtare mbi burrat dhe barazinë gjinore.