FOTO ILUSTRIM: KALLXO.COM

Palët e përfshira në aksident pajtohen në Gjykatë

Në Gjykatën Themelore të Mitrovicës sot u arrit pajtim gjyqësor në rastin e kontestit ku e paditur është Byroja Kosovare e Sigurimeve.

Sipas padisë rezulton se fajtor i aksidentit ka qenë automjeti “A”, respektivisht drejtuesi i automjetit shoferi Filip Milovanoviç.

Si rezultat i këtij aksidenti biçiklisti Samir Hajdari kishte pësuar lëndime trupore, për të cilat detyrimisht i ishte nënshtruar kontrolleve dhe terapisë mjekësore.

Sipas padisë në maj të vitit 2016-të në fshatin Suhodoll të komunës së Mitrovicës ishte shkaktuar aksidenti i komunikacionit ku i lënduar kishte mbetur një biçiklist .

Bazuar në padi aksidenti kishte ndodhur ashtu që automjeti i cili në padi evidentohet me shkronje “A”, duke lëvizur në rrugën rajonale prej drejtimit të Z. Potokut në drejtim të Mitrovicës dhe me të arritur në fshatin Suhodoll nga pakujdesia, dhe duke mos i dhënë përparësi kalimi anës së djathtë, me pjesën e përparme e godet çiklistin mu në mes të biçikletës, i cili në atë moment ishte duke lëvizur prej drejtimit të Mitrovicës në drejtim të fshatit Gushavc.

Kurse në seancën e sotme prezantoi eksperti i komunikacionit Faik Terstena i cila tha se mbetej në tërësi pranë ekspertizës së dhënë me shkrim dhe se nuk kishte çfarë të shtonte.

Kjo ekspertize nuk u kundërshtua as nga përfaqësuesi i palës së paditur Faik Sylejmani, por as nga i autorizuari me shkrim i palëve paditëse Leutrim Ademi.

Kurse me qëllim të ekonomizmit të procedurës palët ndërgjyqëse pas konsultimit në mes vete deklaruan se dëshirojnë të arrihet pajtimi gjyqësor.

Ndërsa gjyqtari Faton Ademi njoftoi palët se lejohet lidhja e këtij Pajtimi Gjyqësor bazuar në nenin 3.3 të LPK-së.

Pas këtij pajtimi gjyqësor e paditura BKS u obligua që në emër të Kompensimit të dëmit për të gjitha format e tij të ia paguaj paditësit shumën prej 1150 euro, në emër të shpenzimeve procedurale shumën prej 437 euro të gjitha këto në afat ditor prej 30 ditëve.

Gjyqtari Ademi gjithashtu njoftoi palët se ky pajtim Gjyqësor ka fuqinë e titullit ekzekutiv.