Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Njeriu i Vetëvendosjes i pari në listën e kandidatëve për anëtarë të bordit të RTK-së

Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje (ndonëse tash thotë se nuk i përket asnjë partie) së shpejti mund të bëhet anëtar i bordit të RTK-së pasi doli më i poentuari nga një komision ad-hoc i Kuvendit të Kosovës, i përbërë nga 10 deputetë, 5 prej të cilëve ishin nga LVV.

Në zgjedhjet e fundit për Kuvend të Kosovës, Mehmet Kalisi humbi garën brenda Lëvizjes Vetëvendosje, dega në Han të Elezit, për të qenë në listën për deputet përballë Mirsad Shkretës vetëm për një votë.

Por, dy vjet më vonë, Kalisi doli më i votuari nga një komision me përbërje nga deputetë të Kuvendit të Kosovës për anëtar të bordit të Radiotelevizionit të Kosovës (RTK).

Kështu, Mehmet Kalisi së shpejti mund të bëhët anëtar i bordit të mediumit publik.

Ai mblodhi 904 pikë nga 10 anëtarët e komisionit vlerësues, pesë nga ta të LVV-së.

Procesi për zgjedhjen e anëtarëve të bordit të RTK-së tani ka kaluar në dorën e deputetëve të Kuvendit, pasi komisioni rekomandoi gjashtë emra për anëtarë të bordit të RTK-së.

Në një bisedë për KALLXO.com, Mehmet Kalisi e pranoi se ka qenë anëtar i partisë e cila udhëheq me Qeverinë e Kosovës.

“Po, kam qenë kandidat, për një votë më pak nuk kam fituar. Kam qenë anëtar (i LVV-së) sepse pa qenë anëtar nuk mundesh me kandidu për kandidat” – deklaroi Mehmet Kalisi.

Por, kandidati i cili doli më i poentuari nga komisioni vlerësues në Kuvendin e Kosovës për anëtar bordi të RTK-së tha se nuk është favorizuar, ani se ishte pjesë e partisë Lëvizja Vetëvendosje.

“Jo nuk jam favorizuar sepse janë deputetët edhe të pozitës edhe të opozitës që kanë votuar. Ata po më akuzojnë që jam i afërt me Agim Veliun edhe me të PDK-së, çka me bë tash…” – tha Kalisi.

“Unë kam qenë anëtar i Vetëvendosjes edhe kam qenë kandidat për deputet, këto janë fakte të pamohueshme, edhe kam qenë votues i Vetëvendosjes. Më herët kam qenë edhe i partive tjera, këto nuk e dëmtojnë procesin që kam qenë më i mirë. Aktualisht nuk jam në ndonjë parti politike” – ka vlerësuar Mehmet Kalisi.

Me pikë maksimale, nga 100 sosh, Mehmet Kalisi u vlerësua nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, Valon Ramadani  e Besim Muzaqi, ndërsa 100 pikë ia dha edhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Agim Veliu.

Fitim Haziri nga Vetëvendosje gjithashtu i dha shumë pikë Mehmet Kalisit, 99 sosh, ndërsa me nga 95 pikë Kalisi u vlerësua nga deputetët Isak Shabani i PDK-së dhe Nijazi Isaku i LVV-së.

Time Kadrijaj pati më së paku pikë për Mehmet Kalisin. Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës e vlerësoi vetëm me 70 pikë ndërsa, Armend Zemaj i LDK-së dhe Tinka Kurti e LVV-së, Kalisin e vlerësuan me nga 85 pikë. Në fund, Fidan Jilta nga Partia Demokratike Turke e vlerësoi me 75 pikë.

Në anën tjetër, se Mehmet Kalisi ishte në garë të brendshme brenda partisë për kandidat për deputet e ka pranuar edhe Mirsad Shkreta.

Por, sipas tij, Mehmet Kalisi nuk ka qenë në strukturat e partisë në kohën kur u përballën me garën se kush do të propozohet kandidat nga dega e LVV-së në Han të Elezit.

“Po, Mehmet Kalisi ka qenë në garë me mua si kandidat i mundshëm për deputetet nga Hani i Elezit. S’e mbaj mend për sa vota, ka qenë një rezultat i ngushtë” – tha Shkreta në një bisedë për KALLXO.com.

“Z. Kalisi po bëhem i sinqertë, kurrë s’ka qenë anëtar i VV-së, më duket ka qenë i propozuar në atë kohë, i propozuar si kuadër…” – ka thënë Shkreta.

Intervistimi i kanidatëve për anëtarë të bordit të RTK-së u mbajt më 1 nëntor 2023 ndërsa si më të vlerësuarit u zgjodhën gjashtë kandidatë.

Mehmet Kalisi, Ilir Bytyçi, Albinot Maloku, Shukrije Rama, Naile Demiri dhe Dritan Shaipi janë kandidatët më të poentuar nga 13 kandidatët e intervistuar nga komisioni ad-hoc i Kuvendit të Kosovës për përzgjedhjen e tre anëtarëve të bordit të Radiotelevizionit të Kosovës.

Në listën e kandidatëve më të poentuar nuk kanë hyrë kryetari dhe nënkryetarja e bordit aktual të RTK-së, Besnik Boletini dhe Arta Berisha.

Boletini e Berisha ishin pjesë e bordit të RTK-së që dy vite në RTK me ç’rast nuk e kishin përzgjedhur asnjë grua në menaxhmentin e lartë, përkundër faktit që 3 nga to u ranguan më së larti kur kandiduan për poste të larta, gjë për të cilën Boletini u pyet gjatë intervistimit për anëtarë të bordit të RTK-së.

Të dhënat lidhur me mungesën e grave në menaxhmentin e lartë u ekspozuan në hulumtimin e Kallxo.com  “Radio Televizioni i Burrave”, dhe shkonin kundër praktikës së krijuar ku Parlamenti i kishte caktuar kuotën 50% gra e 50% burra në bord.  

Në vlerësimin e kandidatëve për anëtarë të bordit të RTK-së ka pasur një diskrepancë në poentimin e deputetëve të pozitës dhe opozitës. Disa kandidatë nga deputetët e pozitës janë poentuar me shumë pikë ndërsa nga ata të opozitës me pak pikë dhe e kundërta.

Emrat e gjashtë kandidatëve më të poentuar do të dërgohen në Kuvendin e Kosovës dhe zgjedhja e tre anëtarëve të bordit të RTK-së do të jetë në dorë të deputetëve. 

https://kallxo.com/lajm/konkursi-per-anetare-te-bordit-te-rtk-se-opozite-e-pozite-me-dallime-te-medha-ne-poentimin-e-kandidateve/

www.kallxo.com