Ilustrim

Nderimi i Ministrit të Brendshëm për policin e vrarë në Istog

Ministri i Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa është shprehur i tronditur nga vrasja e policit në Istog.

Sipas tij sakrifica që ka bërë polici Izet Demaj na bënë krenarë dhe njëkohësisht na shtynë të luftojmë edhe më ashpër krimin dhe kriminelët.

“U trondita nga vrasja e Izet Demajt, pjesëtar i Policisë së Republikës së Kosovës. Izeti u vra në mbrojtje të jetës së qytetarëve të Istogut. Sakrifica e tij na bënë krenar dhe njëkohësisht na shtynë të luftojmë edhe më ashpër krimin dhe kriminelët. Siguria e Kosovës dhe qytetarëve të saj nuk ka alternativë. Ngushëllime familjes Demaj dhe Policisë së Kosovës”, ka shkruar Mustafa në Facebook.
Ngjarja e cila tronditi Istogun ndodhi sot pasdite.
“Sipas prokurores kujdestare, e cila është në vendin e ngjarjes, dyshohet se cak i grabitjes ka qenë një bankë në qendër të Istogut. Një zyrtar policor ka hasur në njërin nga grabitësit, ku i dyshuari K.M. ka shtënë me armë në drejtim të zyrtarit policor I.D., ku si pasojë e plagëve zyrtari policor ka ndërruar jetë”, ka thënë Nikçi.

Ai ka shtuar se grabitësi gjatë shkëmbimit me armë zjarri me zyrtarë të tjerë policorë ka vdekur si pasojë e të shtënave me armë zjarri nga zyrtarët e tjerë policorë, të cilët kanë shtënë në vetëmbrojtje.

“Lidhur me këtë rast të grabitjes, dyshohet se ka edhe persona të tjerë të implikuar të cilët për momentin janë në kërkim”, ka thënë Nikçi.