Mungesa e Gjyqtares Shtyn Seancën Për Vjedhjen e Arit

Kryetarit i trupit gjykues, Florent Latifaj, njoftoi palët se anëtarja e trupit gjykues nuk ndodhet në Kosovë, por gjithashtu ajo më nuk është pjesë e Gjykatës Themelore të Prishtinës.

“Pasi që anëtarja e trupit gjykues, Hajrije Shala nuk gjendet në Kosovë, e njëjta po ashtu nuk është më anëtare e kësaj gjykate dhe po ashtu edhe i akuzuari nuk është sjellë nga paraburgimi, gjykatës nuk i mbetet tjetër pos të shtyjë këtë seancë,” njoftoi Latifaj.

Në seancën e sotme ishte paraparë që të dëshmojë Luan Qosa.

Arsim Elshani akuzohet për hyrjen me forcë me persona të panjohur në korrik të vitit të kaluar në Argjendarinë “Dreni” në Podujevë, duke demoluar murin lidhës me një lokal tjetër në afërsi të argjendarisë.

Sipas aktakuzës, në lokalin që kishte mur të përbashkët me argjendarinë i akuzuari Elshani dhe të tjerët kanë hyrë duke e hapur derën me çelës dhe pastaj e kanë demoluar murin duke depërtuar në argjendarinë e Ismet Softollit duke vjedhur ar në vlerën e 80 mijë eurove.

Pas përfundimit të seancës, Asdren Hoxha, avokati i Ismet Softollit tha për KALLXO.com se nuk po arrin të kuptojë se si mund të shtyhet seanca për kësi lloj arsyesh.

“Po vazhdohet me avazin e vjetër, me papërgjegjësinë e institucioneve, ku për mua si mbrojtës është e pakuptimtë dhe e paarsyeshme mosarritja e formimit të trupit gjykues duke pasur parasysh që çështja është me paraburgim dhe duke pasur parasysh vlerën e dëmit që unë përfaqësoj,” tha Hoxha.

Hoxha po ashtu tha se është i brengosur me vazhdën e procedurës, pasi që tani me formimin e trupit të ri gjykues duhet të procedohet nga e para.

“Pikërisht kur kemi arritur në fazën finale, pas Vitit të Ri në bazë të dispozitave ligjore do të na duhet që t’i procedojmë prapë të gjitha provat dhe rrethanat dhe tek pastaj duhet të kompensohet i dëmtuari apo të arrihet një satisfaksion moral,” tha Hoxha.

Hoxha më tej tha se kjo  është e papranueshme dhe i ftoi ata që janë përgjegjës që të bëjnë çfarë është në dorën e tyre që të evitohet kjo praktikë.

Seanca e radhës do të caktohet pas formimit të trupit të ri gjykues.