Kushtetuesja, rruga e rradhës për ish-bashkëshorten që po kërkon t’i kompensohet kontributi i punëve të amvisërisë

N. A. ka vendosur t’i drejtohet Gjykatës më të lartë në vend – Kushtetueses, lidhur me një rast gjyqësor që nga viti 2016, për ndarje të pasurisë me ish-bashkëshortin e saj, e cila po kërkon t’i njihet kontributi i punëve të amvisërisë.

Gjykata Supreme i’a kishte refuzuar revizonin e paraqitur, me të cilën N. A. i kishte atakuar vendimet e Themelores dhe Apelit, kur kishte vendosur se ankesa e saj kishte qenë e pathemeltë.

Ndaj këtij vendimi të Supremes, N. A. po pretendon se i janë cenuar parimet themeltare kushtetuese, dhe atë Neni 54 të Ligjit për Familjen, cenimi i nenit 31 “E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm” të Kushtetutës së Kosovës, dhe cenimi i nenit 46 – “Mbrojtja e Pronës”, po ashtu nga Kushtetuta e Kosovës.

“Nuk është gjykuar drejtë kjo çështje (nga Supremja) përkitazi me dëmin material sa i përket të drejtës për njohjen e kontributit për punët e amvisërisë, 2 pas datës 31.12.2007 e deri në ditën e shkurorëzimit, lidhur me këtë pretendim i mbetet e vetmja mundësi që për shkak të zbatimit të gabuar të të drejtës materiale, duke qenë se janë shtjerrur të gjitha mundësitë ligjore për zbatimin e së drejtës materiale e vetmja mundësi i mbetet ta atakojë me Kërkesë Individuale për mbrojtje juridike në kuptim të nenit 113 të Kushtetutës së Kosovës, për shqyrtim të pretendimeve për faktin se në rastin konkret i është mohuar e drejta në gjykim të drejtë dhe të paanshëm konform nenit 6, par. 1 i Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut”- përshkruhet në kërkesën e palës N. A. drejtuar Gjykatës Kushtetuese.

Sipas pretendimit të N. A. drejtuar Supremes, gjykatat e instancave më të ulëta (Themlore dhe ajo e Apelit) nuk i kanë njohur kontributet për punët e amvisërisë edhe pas datës 31 korrik të vitit 2007, deri në tetor të vitit 2017 kur e njëjta ishte ndarë me ish-bashkëshortin.

Tutje, ajo pretendon se gjykata ka vlerësuar gabimisht edhe pjesën kur kishte vendosur për një objekt, i cili sipas paditëses nuk është objekt i kërkesë-padisë.

Lidhur me këtë çështje, në dhjetor të vitit 2020 ishte dëgjuar edhe ekspertja Gresa Shabani, e cila kishte deklaruar se ka konstatuar se të gjitha shkresat e lëndës të listuara në ekspertizë dhe për llogaritje të mëtutjeshme i ka marrë në konsideratë shkresat ose pasuritë apo investimet, kontratat të cilat kanë qenë bindëse.

Shuma e llogaritur nga ekspertja në fjalë, e krijuar që nga bashkësia martesore e qershorit të vitit 1996 deri në dhjetor të vitit 2007 kishte qenë 20 mijë e 700 euro, duke llogaritur përkujdesjen e N. A. për punët e shtëpisë, pritjen dhe respektimin e familjes së ish-bashkëshortit, ruajtjen e ekonomisë shtëpiake, kujdesi ndaj fëmijëve, familjes, etj.

Sipas dosjes, Gjykata Supreme kishte vlerësuar se aktgjykimet e instancave më të ulëta nuk janë përfshirë me shkelje thelbësore të dispozitave të procedurës kontestimore, dhe revizioni i ushtruar është i pathemeltë.

Kolegji i Supremes i cili vendosi lidhur me këtë revizion përbëhet nga kryesuesi – Muhamet Rexha, dhe anëtarët Nenad Laziq dhe Beshir Islami.

Tutje, ky kolegj thekson se janë dhënë arsyetime bindëse dhe të pranueshme nga këto instanca më të ulëta, dhe Supremja kishte konsideruar se vendimi është i bazuar në ligj pas administrimit të provave.

Historiku procedural i rastit

Gjykata e shkallës së parë pjesërisht e kishte aprovuar kërkesë-padinë, kurse Apeli e kishte rikthyer çështjen në rigjykim në disa pjesë të caktuara të aktgjykimit të Themelores.

Sipas padisë, paditësja N. A. dhe i padituri B. A., kanë lidhur martesë në vitin 1996, në Prishtinë dhe nga ajo martesë kanë edhe dy fëmijë të moshës madhore.

Mirëpo prej vitit 2016 rrethanat në mes bashkëshortëve kanë ndryshuar, duke e bërë jetën mes tyre të pa mundur për çka edhe kanë paraqitur propozim në Gjykatën e Prishtinës për shkurorëzim.

Gjithnjë sipas padisë, paditësja ka pranuar pasuri të veçantë – trashëgimi nga babai i saj në shumën prej 60 mijë marka gjermane, të cilat i ka investuar në blerjen e një lokali në Prishtinë.

Ky lokal sipas aktpadisë është blerë në shumën prej 105,300.00 marka gjermane, nga të cilat 60,000.00 marka janë investuar nga pasuria e trashëguar nga babai i paditëses.

Tutje sipas padisë, N. A. e ka shitur një banesë të saj në Prizren, gjatë vitit 2012, në shumën prej 40,000.00 euro. Mjetet nga shitja e kësaj banese sipas padisë janë investuar nga paditësja për blerjen e një banese në Shqipëri në sipërfaqe prej 64 metra katrorë.

Padia shpjegon se si paditësja dhe i padituri gjatë jetës së tyre bashkëshortore afërsisht 20-vjeçare kanë realizuar të hyra të përbashkëta kryesisht në blerjen e parcelave, banesave, bizneseve, etj.

Gjithashtu padia specifikon se si ish-bashkëshortët kanë investuar edhe në dy lokale të tjera që gjenden në Prishtinë, njëri në sipërfaqe prej 28 metra katrorë, kurse tjetri prej 25 metra katrorë e që sipas paditëses edhe kjo pasuri është krijuar në kohën kur bashkëshortët kanë kontribuar bashkërisht në krijimin e pasurisë familjare.

Çështja në shkallë të parë e cila është kthyer në rigjykim, për të pritet të mbahet shqyrtimi fillestar.

Të gjitha raportimet lidhur me këtë rast mund t’i ndiqni në këtë LINK.