Deputeti Albin Kurti - Foto: Facebook

Kurti: Serbia u mundua ta fundosë të vërtetën e saj

Duke folur për të vrarët që u gjetën në hapësira ujore të Serbisë, Albin Kurti tha se ky shtet tentoi ta fundosë të vërtetën e tij.

“Serbia u mundua ta fundoste të vërtetën e saj”, tha Kurti në seancën e Kuvendit që po u kushtohet të pagjeturve.

Për Kurtin “çështja e të zhdukurve e bën të pamundur përfundimin e konfliktit”.

Lideri i Vetëvendosjes tha më tutje se “njerëzit janë e vërteta e një shteti, mungon e vërteta për ta”.

Kurti përmendi një mendimtar gjerman duke huazuar fjalët e tij.

“Historia nuk na përket, por ne i përkasim asaj, sot është dita kur duhet ta kemi këtë në dijeni si askush tjetër”, tha Kurti.

Ai deklaroi se normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë është zhvilluar duke harruar të kaluarën.

“Për ne këta njerëz nuk janë numra, por individë, çështja e tyre nuk është statistikë, por është problem humanitar dhe kombëtar”, tha Kurti.