Haziri: OJQ-ve Mbi 68.000 Euro nga Gala Mbrëmja e Vitit të Kaluar

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri ka thënë se organizatat jo-qeveritare që merren me të drejtat e fëmijëve me nevoja të veçanta dhe strehimin e grave dhe fëmijëve, do t’u ndahen mbi 68.000 euro përmes aplikimit në konkursin publik të shpallur nga komuna.

Në gala mbrëmjen që komuna e ka mbajtur më 27 dhjetor të vitit të kaluar, ku kanë qenë prezentë “Handikos” dega Gjilan, shoqata “Liria” (që e mban qendrën strehimore nga dhuna në familje), dhe qendra për përkujdesje ditore të fëmijëve “Pema”, janë grumbulluar mbi 68.000 euro.

Sipas Hazirit kjo është shuma në euro, ndërsa ka edhe mjete të tjera të dhuruara në valuta të tjera.
Ndërsa, drejtuesit të këtyre tri OJQ-ve, Fatmir Shurdhani nga “Handikos”, Liridona Zogaj nga OJQ “Pema” dhe Nazife Jonuzi nga shoqata “Liria” kanë thënë për KALLXO.com se kanë pritur që mjetet do t’u ndahen atyre në mënyrë të drejtpërdrejtë pasi që kanë qenë donacione të jashtme.
Por, Haziri ka deklaruar se që nga 1 janari ka ndryshuar mënyra se si mund të financohen OJQ-të.

“Ka ndryshuar mënyra e shpërndarjes së mjeteve. Nga janari i këtij viti ka ndërruar shuma dhe mënyra se si subvencionohen organizatat jo-qeveritare. Këto mjete iu nënshtrohen rregullave ligjore”, tha ai, duke iu referuar rregullores së Ministrisë së Financave për Financimin e OJQ-ve.

Në anën tjetër, neni 31 i rregullores për financimin e OJQ-ve, thotë se rregullorja hyn në fuqi një javë pas miratimit dhe e përmban datën 13/06/2017.

Kryetari i Gjilanit tha po ashtu se sipas kësaj rregulloreje OJQ-të mund të financohen në mënyrë të drejtpërdrejtë vetëm me shumën prej 500 euro.

Aktori Fatmir Spahiu, gjatë bashkë-moderimit të ngjarjes, e cila u transmetua live në RTK ka lexuar se “nga solidariteti” i mbrëmjes do të përfitojnë 110 fëmijë që trajtohen në Pema, 40 fëmijë fëmijë që trajtohen nga Handikos, 21 fëmijë dhe 51 gra në shoqatën Liria.

Por, nga deklarata e kryetarit të Komunës të dhënë në RTK, kuptohet se ndarja e ndihmave do të bëhej brenda vitit 2017.

“Shpirti solidar dhe humanist i qytetarëve tanë, i familjeve tona është i domosdoshëm që këtë fundvit t’i gëzojmë këta prindër dhe këta fëmijë që kanë nevojë për dorën tonë dhe mbështetjen tonë”, ka thënë Haziri në fjalën e tij të transmetuar në RTK më 27 dhjetor 2017.

I pyetur rreth deklarimeve të tij të dhënë në transmetimin direkt të gala mbrëmjes se këto mjete do ju ndahen OJQ-ve, ai deklaroi se këtë e ka pamundësuar hyrja në fuqi e rregullores së re për financimin e OJQ-ve vetëm pak ditë pas.

Sipas tij po të kishin kohë më shumë në dispozicion ato mjete do ju ndaheshin të tri OJQ-ve përmes në vendimi të Kuvendit Komunal. Mirëpo ai thotë se tani janë të obliguar t`i përmbahen rregullores së re.