Gjykata Themelore në Gjilan - Foto: Gjykata Themelore e Gjilanit

Gjykimi për vrasje në tentativë, dëshmitari kujton fytyrat e të akuzuarve

Një burrë nga Ferizaji dëshmoi në rastin e një vrasjeje në tentativë në fshatin Lubishtë.

Në gjykimin për vrasje në tentativë ndaj të pandehurëve Xhemajl, Bushat dhe Kemajl Shaqiri nga fshati Goden komuna e Vitisë,  u dëgjua dëshmia e  Bexhet Limani nga Ferizaji.

Dëshmitari u deklarua se ka dhënë deklaratë në Polici por që nuk i kujtohet. Më pas kur Prokurori i rastit Isuf Sadiku ia lexoi në tërësi deklaratën e dhënë në Prokurori, dëshmitari pranoi deklaratën e dhënë, duke qëndruar në tërësi pranë atyre fjalëve.

Ai më tej deklaroi se nuk  e njeh të akuzuarin Bushat Shaqiri. “Të akuzuarit i njoh si fytyra por nuk i di cilët janë me emra sepse po i mbaj mend prej atëherit”, tha Bexhet Limani.

Gjatë gjykimit, Prokurori Isuf Sadiku, i propozoi trupit gjykues që në cilësi të dëmtuarit- dëshmitarit, në seancën e radhës të ftohet Selim Ahmeti nga fsh.Lubishtë komuna e Vitisë.

Trupi gjykues në përbërje nga Naser Maliqi kryetar, Islam Thaqi e Sahit Borovci anëtar, pas konsultimit mori aktvendim duke aprovuar kërkesën e prokurorit dhe   poashtu vendosi që për seancën e radhës, ndaj dëshmitarëve Selami Shema, Gazmend Ahmeti dhe Agron Ahmetit që munguan në gjykimin e sodit,  do të lëshohet urdhër arrest për sjellje me dhunë.

Sipas aktakuzës, të pandehurit Xhemajl, Bushat dhe Kemajl Shaqiri akuzohen nga Prokuroria  e Gjilanit se si bashkëkryerës kanë kryer veprën penale vrasje në tentativë  më datë 11 Janar 2011.

Pas një mosmarrëveshje të mëhershme me Selim Ahmetin nga fshati Lubishtë, kanë tentuar që ta privojnë nga jeta të njëjtin, në atë mënyrë që fillimisht i pandehuri Xhemajl e godet me thikë në kokë, përkatësisht prapa veshit, duke i shkaktuar një plagë prerëse rrethë 10 cm, ndërkaq i pandehuri Bushati e godet me një shufër metalike në pjesë të ndryshme të trupit e që edhe i pandehuri Kemajl gjatë asaj rrëmuje e godet me shufër metalike me ç’rast edhe të njejtit i shkaktojnë lëndime të rënda trupore për çka edhe si rast urgjent i dëmtuari dërgohet në Qendrën Spitalore në Gjilan, dhe pastaj pastaj pas punës operative të Policisë në Gjilan, të njëjtit arrestohen.

Në këtë përshkrim të aktakuzës akuzohet edhe Selim Ahmeti për lëndim të lehtë trupor sepse kishte goditur  në kokë me një shishe qelqi  Bushat Shaqirin nga Vitia.

Seanca e radhës u caktua për datën 10 dhjetor 2018 e cila do të mbahet në ora 13 në Gjykatën e Gjilanit.